-
Lexo Dokumentin
27.5.2014
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 157/1
DIREKTIVË 2014/66/BE E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATË 15 MAJ 2014, "PËR KUSHTET E HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË VENDEVE TË TRETA NË KUADËR TË TRANSFERIMIT BRENDA NDËRMARRJES"
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti pikat "a" dhe "b" të nenit 79, paragrafi 2 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit Evropian,
Pas komunikimit të projektaktit legjislativ në parlamentet kombëtare,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social1,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit të Rajoneve2,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e zakonshme legjislative3,
Meqë:
- Për ngritjen graduale të një zone të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE) parashikon miratimin e masave në fushën e emigracionit, të cilat janë të drejta ndaj shtetasve të vendeve të treta.
- TFBE-ja parashikon që BE-ja të zhvillojë një politikë të përbashkët të imigracionit që synon të garantojë, në të gjitha fazat, menaxhimin efikas të flukseve të migracionit dhe trajtimin e drejtë të shtetasve të vendeve të treta me qëndrim të rregullt në shtetet anëtare. Për këtë qëllim, Parlamenti Evropian dhe Këshilli duhet të miratojnë masa për kushtet e hyrjes dhe qëndrimit, standardet për lëshimin e vizave afatgjata dhe lejeve të qëndrimit nga shtetet anëtare, si dhe për përcaktimin e të drejtave të shtetasve të vendeve të treta me qëndrim të rregullt në një shtet anëtar, duke përfshirë kushtet që rregullojnë lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit në shtetet e tjera anëtare.
- Komunikata e Komisionit e 3 marsit 2010 me titull "Evropa 2020: Një strategji për rritje inteligjente, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse" përcakton objektivin e BE-së për t’u bërë një ekonomi e bazuar mbi njohuritë dhe inovacionin, duke zvogëluar barrën administrative ndaj shoqërive dhe duke i’u përshtatur më mirë ofertës dhe kërkesës së punës. Masat që menaxherët, specialistët dhe punonjësit praktikantë ta kenë më të lehtë të hyjnë në BE në kuadrin e një transferimi brenda ndërmarrjes duhet të shihen në kontekst më të gjerë.
- Programi i Stokholmit, i miratuar nga Këshilli Evropian më 11 dhjetor 2009, pranon se imigracioni i punës mund të kontribuojë në rritjen e konkurrencës dhe në qëndrueshmërinë ekonomike dhe se, në kuadër të sfidave të rëndësishme demografike me të cilat do të ballafaqohet BE-ja në të ardhmen, dhe si pasojë rritja e kërkesës për punë, politikat fleksibël të emigracionit do të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe në performancën e BE-së në terma afatgjatë. Programi i Stokholmit në këtë mënyrë fton Komisionin dhe Këshillin që të vazhdojnë zbatimin e planit të politikave për migracionin e ligjshëm të përcaktuar në komunikatën e Komisionit të datës 21 dhjetor 2005.
- Si rezultat i globalizimit të biznesit, zhvillimit të tregtisë, rritjes dhe përhapjes së grupeve shumëkombëshe, në vitet e fundit kanë fituar vrull lëvizjet e menaxherëve, specialistëve dhe punonjësve praktikantë të degëve dhe filialeve shumëkombëshe, të zhvendosur përkohësisht për detyra të shkurtra në njësitë e tjera të shoqërisë.
- Transferime të tilla të personelit kyç brenda ndërmarrjeve sjellin aftësi dhe njohuri të reja, inovacion dhe mundësi të gjera ekonomike për njësitë pritëse, duke avancuar kështu ekonominë e bazuar në dije në BE, ndërkohë duke nxitur flukset e investimeve në të gjithë BE-në. Transferimet brenda ndërmarrjeve nga vendet e treta kanë gjithashtu potencialin të lehtësojnë transferimet brenda ndërmarrjeve nga BE-ja në shoqëritë e vendeve të treta, si dhe të vënë BE-në në një pozitë më të fortë në marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë. Lehtësimi i transferimeve brenda ndërmarrjeve u mundëson grupeve shumëkombëshe të shfrytëzojnë më mirë burimet e tyre njerëzore.
- Nga grupi i rregullave të parashikuara në këtë direktivë mund të përfitojnë edhe vendet e origjinës së emigrantëve, pasi ky migrim i përkohshëm, sipas rregullave të saj të mirëpërcaktuara, mund të nxisë transferimin e aftësive, njohurive, teknologjisë dhe ekspertizës.
- Kjo direktivë nuk duhet të cenojë parimin e preferencës për qytetarët e BE-së për sa i përket aksesit në tregun e punës të shteteve anëtare, siç shprehet në dispozitat përkatëse të akteve përkatëse të aderimit.
- Kjo direktivë nuk duhet të cenojë të drejtën e shteteve anëtare për të lëshuar leje të tjera përveç lejeve të të transferuarit brenda ndërmarrjes për çdo qëllim punësimi, nëse shtetasi i vendit të tretë nuk bën pjesë në fushën e zbatimit të kësaj direktive.
- Kjo direktivë duhet të krijojë një procedurë transparente dhe të thjeshtuar për pranimin e të transferuarve brenda ndërmarrjeve, bazuar në përcaktimet e përbashkëta dhe kriteret e harmonizuara.
- Shtetet anëtare duhet të sigurojnë kryerjen e kontrolleve të duhura dhe të inspektimeve efektive në mënyrë që të garantohet zbatimi i duhur i kësaj Direktive. Fakti që është lëshuar një leje e të transferuarit brenda ndërmarrjes nuk duhet të ndikojë ose të pengojë që shtetet anëtare, gjatë transferimit brenda ndërmarrjes, të zbatojnë dispozitat e tyre të legjislacionit të punës që, në përputhje me legjislacionin e BE-së, si objektiv kanë kontrollin e pajtueshmërisë me kushtet e punës të përcaktuara në nenin 18, paragrafi 1.
- Mundësia që një shtet anëtar, në bazë të legjislacionit të brendshëm, të vendosë sanksione kundrejt një punëdhënësi të të transferuarit brenda ndërmarrjes të themeluar në një vend të tretë duhet të mbetet e paprekur.
- Për qëllime të kësaj direktive, tek të transferuarit brenda ndërmarrjes duhet të përfshihen menaxherët, specialistët dhe punonjësit praktikantë. Përkufizimi për ta duhet të mbështetet në angazhimet specifike të BE-së sipas Marrëveshjes së Përgjithshme për Tregtimin e Shërbimeve (GATS) dhe marrëveshjet dypalëshe të tregtisë. Duke qenë se këto angazhime të ndërmarra në kuadër të GATS nuk mbulojnë kushtet e hyrjes, qëndrimit dhe punës, kjo direktivë duhet të plotësojë dhe lehtësojë zbatimin e tyre. Megjithatë, fushëveprimi i transferimeve brenda ndërmarrjeve të mbuluara nga kjo direktivë duhet të jetë më i gjerë se ai i nënkuptuar nga angazhimet tregtare, meqë transferimet nuk bëhen domosdoshmërish në sektorin e shërbimeve dhe mund të jenë nga një vend i tretë që nuk është palë në një marrëveshje tregtie.
- Për të vlerësuar kualifikimet e të transferuarve brenda ndërmarrjeve, shtetet anëtare duhet të përdorin Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK) për mësimnxënien gjatë gjithë jetës, sipas rastit, për vlerësimin e kualifikimeve në mënyrë të krahasueshme dhe transparente. Pikat Kombëtare të Koordinimit të KEK mund të ofrojnë informacione dhe udhëzime se si nivelet kombëtare të kualifikimeve lidhen me KEK.
- Të transferuarit brenda ndërmarrjes duhet të përfitojnë nga të paktën të njëjtat kushte punësimi si punëmarrësit që janë transferuar, punëdhënësi i të cilëve është themeluar në territorin e BE-së, siç përcaktohet nga Direktiva 96/71/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit4. Shtetet anëtare duhet të kërkojnë që të transferuarit brenda ndërmarrjeve të gëzojnë trajtim të barabartë me shtetasit që kanë vende pune të krahasueshme, për sa i përket shpërblimit që do të jepet gjatë gjithë transferimit. Çdo shtet anëtar duhet të jetë përgjegjës për verifikimin e shpërblimit që u jepet të transferuarve brenda ndërmarrjeve gjatë qëndrimit të tyre në territorin e tyre. Diçka e tillë ka për qëllim të mbrojë punëmarrësit dhe të garantojë konkurrencë të drejtë ndërmjet ndërmarrjeve të themeluara në një shtet anëtar dhe atyre të themeluara në një vend të tretë, duke qenë se garantohet që ky i fundit të mos jetë në gjendje të përfitojë nga standardet më të ulëta të punës për të përfituar ndonjë përparësi konkurruese.
- Për t’u siguruar se aftësitë e të transferuarit brenda ndërmarrjes janë specifike për njësinë pritëse, i transferuari duhet të ketë qenë i punësuar brenda të njëjtit grup ndërmarrjesh për të paktën tre deri në dymbëdhjetë muaj të njëpasnjëshëm menjëherë para transferimit në rastin e menaxherëve dhe specialistëve, dhe për të paktën tre deri në gjashtë muaj të njëpasnjëshëm në rastin e punonjësve praktikantë.
- Duke qenë se të transferuarit brenda ndërmarrjes përbëjnë migrim të përkohshëm, kohëzgjatja maksimale e një transferimi në BE, duke përfshirë lëvizjen midis shteteve anëtare, nuk duhet të jetë mbi tre vjet për menaxherët dhe specialistët dhe një vit për punonjësit praktikantë, periudhë pas së cilës ata duhet të largohen në një vend të tretë, përveç rastit kur marrin një leje qëndrimi për arsye tjetër, në përputhje me legjislacionin e BE-së ose të brendshëm. Kohëzgjatja maksimale e transferimit duhet të përfshijë kohëzgjatjet e grumbulluara të lejeve të të transferuarit brenda ndërmarrjes të lëshuara radhazi. Një transferim i mëtejshëm në BE mund të ndodhë pasi shtetasi i vendit të tretë të jetë larguar nga territori i shteteve anëtare.
- Për të siguruar karakterin e përkohshëm të transferimit brenda ndërmarrjes dhe për të parandaluar abuzimet, shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të kërkojnë kalimin e një periudhe të caktuar kohore nga përfundimi i kohëzgjatjes maksimale të transferimit deri në aplikimin tjetër për të njëjtin shtetas të vendit të tretë për qëllimet e kësaj direktive në të njëjtin shtet anëtar.
- Duke qenë se transferimet brenda ndërmarrjes janë transferime të përkohshme, aplikuesi duhet të paraqesë prova, si pjesë e kontratës së punës ose letrës së emërimit, se shtetasi i vendit të tretë pas përfundimit të detyrës do të jetë në gjendje të transferohet përsëri në një njësi që i përket grupit të njëjtë dhe të themeluar në një vend të tretë. Gjithashtu, aplikuesi duhet të sigurojë prova se menaxheri ose specialisti që është shtetas i vendit të tretë, zotëron kualifikimet profesionale dhe përvojën e duhur profesionale që nevojitet në njësinë pritëse në të cilin ai ose ajo do të transferohet.
- Shtetasit e vendeve të treta që aplikojnë për t’u pranuar si punonjës praktikantë duhet të ofrojnë prova se zotërojnë një diplomë universitare. Përveç kësaj, nëse është e nevojshme, ata duhet të paraqesin një kontratë formimi profesional, si dhe një përshkrim të programit të formimit, kohëzgjatjen e tij dhe kushtet sipas së cilave do të mbikëqyren punonjësit praktikantë, duke dëshmuar se do të përfitojnë nga formimi i mirëfilltë dhe nuk do të shfrytëzohen si punëmarrës të zakonshëm.
- Përveç nëse nuk është në kundërshtim me parimin e preferencës për qytetarët e BE-së, siç është shprehur në dispozitat përkatëse të akteve përkatëse të aderimit, nuk duhet të kërkohet asnjë analizë e situatës së tregut të punës.
- Një shtet anëtar duhet të njohë kualifikimet profesionale të marra nga një shtetas i një vendi të tretë në një shtet tjetër anëtar në të njëjtën mënyrë si ato të shtetasve të BE-së, dhe duhet të marrë parasysh kualifikimet e marra në një vend të tretë në përputhje me Direktivën 2005/36/KE të Parlamentit dhe Këshillit5. Një njohje e tillë nuk duhet të cenojë kufizimet për akesin në profesionet e rregulluara që rrjedhin nga kufizimet e angazhimeve ekzistuese, për sa i përket profesioneve të rregulluara, të ndërmarra nga BE-ja ose shtetet anëtare dhe BE-ja në kuadrin e marrëveshjeve tregtare. Në çdo rast, kjo direktivë nuk duhet të parashikojë trajtim më të favorshëm për të transferuarit brenda ndërmarrjes, në krahasim me shtetasit e BE-së ose të Zonës Ekonomike Evropiane, sa i përket qasjes në profesionet e rregulluara në një shtet anëtar.
- Kjo direktivë nuk duhet të cenojë në të drejtën e shteteve anëtare për të përcaktuar numrin e pranimeve në përputhje me nenin 79, paragrafi 5 i TFBE-së.
- Me qëllim luftimin e abuzimeve të mundshme nga kjo direktivë, shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të refuzojnë, të anulojnë ose të mos rinovojnë një leje të të transferuarit brenda ndërmarrjes, kur njësia pritëse është themeluar me qëllimin kryesor për të lehtësuar hyrjen e të transferuarve brenda ndërmarrjes dhe/ose kur ajo nuk ka një veprimtari të mirëfilltë.
- Kjo direktivë synon të lehtësojë lëvizjen e të transferuarve brenda ndërmarrjeve brenda BE-së ("lëvizjen brenda BE-së") dhe të ulë barrën administrative në lidhje me emërimet në detyrë në disa shtete anëtare. Për këtë qëllim, kjo direktivë krijon një skemë lëvizjeje brenda BE-së, ku mbajtësit të lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes, të lëshuar nga një shtet anëtar, i lejohet të hyjë, të qëndrojë dhe të punojë në një ose më shumë shtete anëtare, në përputhje me dispozitat që rregullojnë lëvizjen afatshkurtër dhe afatgjatë sipas kësaj direktive. Për qëllimet e kësaj direktive, lëvizja afatshkurtër duhet të përfshijë qëndrimet në shtetet anëtare, përveç shtetit që ka lëshuar lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes, për një periudhë deri në 90 ditë për çdo shtet anëtar. Për qëllimet e kësaj direktive, lëvizja afatgjatë duhet të përfshijë qëndrimet në shtetet anëtare, përveç shtetit që ka lëshuar lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes, për një periudhë më shumë se 90 ditë për çdo shtet anëtar. Me qëllim për të parandaluar shmangien e dallimit ndërmjet lëvizjes afatshkurtër dhe afatgjatë, lëvizja afatshkurtër në një shtet anëtar të caktuar duhet të kufizohet maksimumi në 90 ditë për çdo periudhë 180 ditore, dhe nuk duhet të mundësohet paraqitja në të njëjtën kohë e njoftimit dhe aplikimit për lëvizje afatshkurtër. Kur pas fillimit të lëvizjes afatshkurtër të të transferuarit brenda ndërmarrjes lind nevoja për lëvizje afatgjatë, shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që aplikimi të dorëzohet së paku 20 ditë para përfundimit të periudhës së lëvizjes afatshkurtër.
- Ndërkohë që skema specifike e lëvizjes e krijuar nga kjo direktivë përcakton rregulla autonome në lidhje me hyrjen dhe qëndrimin për qëllime pune si i transferuar brenda ndërmarrjes në shtetet anëtare, përveç atij që ka lëshuar lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes, të gjitha rregullat e tjera që rregullojnë lëvizjen e personave përtej kufijve të përcaktuara në dispozitat përkatëse të tërësisë së legjislacionit të Shengenit vazhdojnë të zbatohen.
- Për të lehtësuar kontrollet, nëse transferimi përfshin disa vendndodhje në shtete të ndryshme anëtare, autoritetet kompetente të shteteve anëtare të dyta duhet t’u sigurohet, sipas rastit, informacioni përkatës.
- Kur të transferuarit brenda ndërmarrjeve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të lëvizur, shteti i dytë anëtar, sipas kushteve të caktuara, duhet të jetë në gjendje të ndërmarrë hapa në mënyrë që veprimtaritë e personave të transferuar brenda ndërmarrjes të mos bien ndesh me dispozitat përkatëse të kësaj direktive.
- Shtetet anëtare duhet të parashikojnë sanksione efektive, proporcionale dhe shtrënguese, siç janë sanksionet financiare, që duhet të vendosen në rast të mosrespektimit të kësaj direktive. Këto sanksione, ndër të tjera, mund të konsistojnë në masat e parashikuara në nenin 7 të Direktivës 2009/52/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit6. Këto sanksione mund të vendosen në njësinë pritëse të themeluar në shtetin anëtar në fjalë.
- Ofrimi i një procedure të vetme që çon në një titull të kombinuar që përfshin si lejen e qëndrimit ashtu edhe lejen e punës ("leje e vetme") duhet të kontribuojë në thjeshtimin e rregullave që zbatohen aktualisht në shtetet anëtare.
- Duhet të mundësohet ngritja e një procedure të thjeshtuar për njësitë ose grupet e ndërmarrjeve të cilat janë njohur për këtë qëllim. Njohja duhet të vlerësohet rregullisht.
- Pasi shteti anëtar të ketë vendosur të pranojë një shtetas të një vendi të tretë që përmbush kriteret e përcaktuara në këtë direktivë, ky shtetas i vendit të tretë duhet të marrë një leje të të transferuarit brenda ndërmarrjes që i lejon atij ose asaj, sipas kushteve të caktuara, kryerjen e detyrës në njësi të ndryshme që i përkasin të njëjtës ndërmarrje transkombëtare, duke përfshirë edhe njësitë që ndodhen në shtetet e tjera anëtare.
- Kur i nevojitet një vizë dhe kur shtetasi i vendit të tretë i plotëson kriteret për lëshimin e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes, shteti anëtar duhet t’i ofrojë shtetasit të vendit të tretë çdo lehtësi për marrjen e vizës së kërkuar dhe duhet të sigurohet që autoritetet kompetente të bashkëpunojnë në mënyrë efikase për këtë qëllim.
- Kur leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes lëshohet nga një shtet anëtar që nuk zbaton plotësisht tërësinë e legjislacionit të Shengenit dhe i transferuari brenda ndërmarrjes, në kuadër të lëvizjes brenda BE-së, kalon kufirin e jashtëm brenda kuptimit të Rregullores (KE) nr. 562/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit7, një shtet anëtar duhet të ketë të drejtë të kërkojë prova që vërtetojnë se i transferuari brenda ndërmarrjes po kalon për në territorin e tij në kuadër të transferimit brenda ndërmarrjes. Përveç kësaj, në rast të kalimit të një kufiri të jashtëm brenda kuptimit të Rregullores (KE) Nr 562/2006, shtetet anëtare që zbatojnë plotësisht tërësinë e legjislacionit të Shengenit duhet të konsultohen me sistemin e informacionit të Shengenit dhe duhet të refuzojnë hyrjen ose të jenë kundër lëvizjes së personave për të cilët është lëshuar një paralajmërim me qëllim refuzimin e hyrjes ose qëndrimit, siç përmendet në Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit8 në atë sistem.
- Shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të mbajnë informacione shtesë në formë shkresore ose t’i ruajnë ato në formë elektronike, siç përmendet në nenin 4 të Rregullores së Këshillit (KE) nr. 1030/20029 dhe pika "a", paragrafi 16 i shtojcës së saj, në mënyrë që të ofrojnë informacione më të sakta rreth veprimtarisë së punësimit gjatë transferimit brenda ndërmarrjes. Ofrimi i këtij informacioni shtesë duhet të jetë opsional për shtetet anëtare dhe nuk duhet të jetë një kërkesë shtesë që do të vendoste në rrezik lejen e vetme dhe procedurën e vetme të aplikimit.
- Kjo direktivë nuk duhet të parandalojë të transferuarit brenda ndërmarrjeve që të ushtrojnë veprimtari specifike në vendet e klientëve brenda shtetit anëtar ku është themeluar njësia pritëse, në përputhje me dispozitat që zbatohen në atë shtet anëtar për këto veprimtari.
- Kjo direktivë nuk ndikon në kushtet e ofrimit të shërbimeve në kuadër të nenit 56 të TFBE-së. Në veçanti, kjo direktivë nuk ndikon në kushtet e punësimit që zbatohen në përputhje me Direktivën 96/71/EC për punëtorët e transferuar nga një ndërmarrje e themeluar në një shtet anëtar për të ofruar një shërbim në territorin e një shteti tjetër anëtar. Kjo direktivë nuk duhet të zbatohet për shtetasit e vendeve të treta të transferuar nga ndërmarrjet e themeluara në një shtet anëtar, në kuadër të ofrimit të shërbimeve në përputhje me Direktivën 96/71/KE. Shtetasit e vendeve të treta që zotërojnë një leje të të transferuarit brenda ndërmarrjes nuk mund të përfitojnë nga Direktiva 96/71/KE. Kjo direktivë nuk duhet t’u sigurojë ndërmarrjeve të themeluara në një vend të tretë ndonjë trajtim më të favorshëm se ndërmarrjeve të themeluara në një shtet anëtar, në përputhje me nenin 1, paragrafi 4, të Direktivës 96/71/KE.
- Mbulimi i duhur me sigurime shoqërore për të transferuarit brenda ndërmarrjeve, duke përfshirë, sipas rastit, përfitimet për anëtarët e familjes së tyre, është i rëndësishëm për të siguruar kushte të përshtatshme pune dhe jetese gjatë qëndrimit në BE. Si rrjedhojë, sipas legjislacionit të brendshëm, duhet të ofrohet trajtim i barabartë për u përket degëve të sigurimeve shoqërore të renditura në nenin 3 të Rregullores (KE) nr. 883/2004 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit10. Kjo direktivë nuk harmonizon legjislacionin e shteteve anëtare për sigurimet shoqërore. Ajo kufizohet në zbatimin e parimit të trajtimit të barabartë në fushën e sigurimeve shoqërore për personat që janë pjesë e fushës së saj të zbatimit. E drejta për trajtim të barabartë në fushën e sigurimeve shoqërore zbatohet për shtetasit e vendeve të tretë që përmbushin kushtet objektive dhe jodiskriminuese, të parashikuara nga legjislacioni i shtetit anëtar ku kryhet puna, në lidhje me përkatësinë dhe të drejtën për përfitime nga sigurimet shoqërore.
Në shumë shtete anëtare, e drejta për përfitime familjare varet nga një lidhje e caktuar me shtetin anëtar, duke qenë se përfitimet janë menduar për të përkrahur zhvillimin demografik pozitiv, me qëllim sigurimin e forcës punëtore të ardhshme në shtetin anëtar. Prandaj, kjo direktivë nuk duhet të cenojë të drejtën e shtetit anëtar për të kufizuar, sipas kushteve të caktuara, trajtimin e barabartë në lidhje me përfitimet familjare, duke qenë se i transferuari brenda ndërmarrjes dhe anëtarët shoqërues të familjes qëndrojnë përkohësisht në shtetin anëtar. Të drejtat për sigurime shoqërore duhet të jepen pa cenuar dispozitat e legjislacionit të brendshëm dhe/ose marrëveshjet dypalëshe që parashikojnë zbatimin e legjislacionit të vendit të origjinës për sigurimet shoqërore. Megjithatë, marrëveshjet dypalëshe ose legjislacioni i brendshëm për të drejtat e sigurimeve shoqërore të të transferuarve brenda ndërmarrjes, të cilat miratohen pas hyrjes në fuqi të kësaj direktive, nuk duhet të parashikojnë trajtim më pak të favorshëm sesa trajtimi i ofruar për shtetasit e shtetit anëtar ku kryhet puna. Si rezultat i legjislacionit të brendshëm ose marrëveshjeve të tilla, mund të jetë, për shembull, në interes të të transferuarve brenda ndërmarrjes që të mbeten të lidhur me sistemin e sigurimeve shoqërore të vendit të tyre të origjinës, nëse ndërprerja e përkatësisë së tyre do të cenonte të drejtat e tyre ose nëse përkatësia e tyre do të rezultonte në mbajtjen e kostove për mbulim të dyfishtë. Shtetet anëtare duhet të kenë gjithmonë mundësinë t’ju japin të transferuarve brenda ndërmarrjes të drejta më të favorshme për sigurime shoqërore. Kjo direktivë kurrsesi nuk duhet të cenojë të drejtën e personave në varësi që rrjedhin nga të drejtat e të transferuarit brenda ndërmarrjes për të përftuar pensione të personave në varësi kur qëndrojnë në një vend të tretë.
- Në rastin e lëvizjes midis shteteve anëtare, duhet të zbatohet përkatësisht Rregullorja (BE) nr. 1231/2010 e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit11. Kjo direktivë nuk duhet të japë më tepër të drejta se sa ato tashmë të parashikuara në legjislacionin ekzistues komunitar në fushën e sigurimeve shoqërore për shtetasit e vendeve të treta, të cilët kanë interesa ndërkufitare ndërmjet shteteve anëtare.
- Me qëllim që grupi specifik i rregullave të përcaktuara nga kjo direktivë të jetë më tërheqës dhe të mundësojë dhënien e të gjitha përfitimeve të pritshme për konkurrueshmërinë e biznesit në BE, të transferuarve brenda ndërmarrjes që janë shtetas të vendeve të treta, duhet t’u ofrohen kushte të favorshme për bashkim familjar në shtetin anëtar që ka lëshuar lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes dhe në ato shtete anëtare që i mundësojnë të transferuarit brenda ndërmarrjes qëndrimin dhe punën në territorin e tyre, në përputhje me dispozitat e kësaj direktive për lëvizjen afatgjatë. Kjo e drejtë do t’ju hiqte të transferuarve të mundshëm brenda ndërmarrjes një pengesë të madhe për pranimin e detyrës. Për të ruajtur bashkimin familjar, anëtarët e familjes duhet të kenë mundësinë të bashkohen me të transferuarin brenda ndërmarrjes në një tjetër shtet anëtar dhe aksesi i tyre në tregun e punës duhet të lehtësohet.
- Për të lehtësuar përpunimin e shpejtë të aplikimeve, shtetet anëtare duhet t’i japin përparësi shkëmbimit të informacionit dhe përcjelljes së dokumenteve përkatëse në mënyrë elektronike, përveç nëse hasen vështirësi teknike ose nëse nevojitet sipas interesave thelbësore.
- Mbledhja dhe përcjellja e dosjeve dhe të dhënave duhet të kryhet në përputhje me të rregullat përkatëse për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë.
- Kjo direktivë nuk zbatohet për shtetasit e vendit të tretë që aplikojnë për qëndrim si hulumtues në një shtet anëtar për të kryer një projekt kërkimi, pasi ata përfshihen në fushën e zbatimit të Direktivës së Këshillit 2005/71/KE12.
- Meqenëse objektivat e kësaj direktive, përkatësisht procedura e veçantë e pranimit dhe miratimi i kushteve të hyrjes dhe qëndrimit për qëllim të transferimeve brenda ndërmarrjes për shtetasit e vendeve të treta, nuk mund të arrihet plotësisht nga shtetet anëtare, dhe për shkak të shkallës dhe të efekteve të saj mund të arrihet më mirë në nivel Bashkimi Evropian, ky i fundit mund të miratojë masa në përputhje me parimin e subsidiaritetit, siç përcaktohet në nenin 5 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TBE). Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, sipas përcaktimit në atë nen, kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtyre objektivave.
- Kjo direktivë respekton të drejtat themelore dhe parimet e njohura nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, e cila është e ndërtuar në bazë të të drejtave që rrjedhin nga Kartat Sociale të miratuara nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës.
- Në përputhje me Deklaratën Politike të Përbashkët të Shteteve Anëtare dhe të Komisionit për dokumentet shpjeguese, datë 28 shtator 201113, shtetet anëtare janë angazhuar të shoqërojnë, në rastet e justifikuara, njoftimin për masat e tyre të transpozimit me një ose më shumë dokumente ku shpjegohet marrëdhënia ndërmjet komponentëve të një direktive dhe pjesëve përkatëse të instrumentit kombëtar të transpozimit. Në lidhje me këtë direktivë, ligjvënësi e konsideron transmetimin e këtyre dokumenteve si të justifikuar.
- Në përputhje me nenet 1 dhe 2 të Protokollit nr. 21 "Për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës për zonën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë", bashkëlidhur TBE-së dhe TFBE-së, dhe pa cenuar nenin 4 të këtij protokolli, këto shtete anëtare nuk marrin pjesë në miratimin e kësaj direktive dhe nuk janë të detyruara ta zbatojnë atë apo të jenë objekt i zbatimit të saj.
- Në përputhje me nenet 1 dhe 2 të Protokollit nr. 22 "Për qëndrimin e Danimarkës", bashkëlidhur TBE-së dhe TFBE-së, Danimarka nuk merr pjesë në miratimin e kësaj direktive dhe nuk është e detyruar ta zbatojë atë apo të jetë objekt i zbatimit të saj.
MIRATOJNË KËTË DIREKTIVË:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Kjo direktivë përcakton:
- a) kushtet e hyrjes dhe qëndrimit për më shumë se 90 ditë në territorin e shteteve anëtare, si dhe të drejtat e shtetasve të vendeve të treta dhe të anëtarëve të tyre të familjes në kuadër të transferimit brenda ndërmarrjes;
- b) kushtet e hyrjes dhe qëndrimit, dhe të drejtat e shtetasve të vendeve të treta të përmendura në pikën "a", në shtetet anëtare të ndryshme nga shteti anëtar që i jep fillimisht shtetasit të vendit të tretë një leje transferimi brenda ndërmarrjes në bazë të kësaj direktive.
Neni 2
Objekti
- Kjo direktivë zbatohet për shtetasit e vendeve të treta që qëndrojnë jashtë territorit të shteteve anëtare në momentin e aplikimit dhe që aplikojnë për t’u pranuar ose që janë pranuar në territorin e shtetit anëtar sipas kushteve të kësaj direktive, në kuadrin e transferimit brenda ndërmarrjes si menaxherë, specialistë ose punonjës praktikantë.
- Kjo direktivë nuk zbatohet për shtetasit e vendeve të treta që:
- a) aplikojnë për të qëndruar në një shtet anëtar si hulumtues, sipas kuptimit të Direktivës 2005/71/KE, për të kryer një projekt kërkimi;
- b) sipas marrëveshjeve ndërmjet BE-së dhe shteteve anëtare të saj dhe vendeve të treta, gëzojnë të drejta për lëvizje të lirë të njëjta me ato të të qytetarëve të BE-së, ose që janë të punësuar nga një ndërmarrje e themeluar në këto vende të treta;
- c) janë transferuar në kuadër të Direktivës 96/71/KE;
- d) kryejnë veprimtari si të vetëpunësuar;
- e) emërohen nga agjencitë e punësimit, agjencitë e punësimit të përkohshëm ose nga çdo ndërmarrje tjetër e angazhuar në ofrimin e forcës punëtore nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e një ndërmarrjeje tjetër;
- f) janë pranuar si studentë me kohë të plotë ose që kryejnë një trajnim të shkurtër praktik të mbikëqyrur si pjesë e studimeve të tyre.
- Kjo direktivë nuk cenon të drejtën e shteteve anëtare për të lëshuar leje qëndrimi, përveç lejes së transferimit brenda ndërmarrjes të mbuluar nga kjo direktivë, për çfarëdolloj qëllimi punësimi për shtetasit e vendeve të treta që është jashtë fushës së zbatimit të kësaj direktive.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllimet e kësaj direktive përdoren përkufizimet e mëposhtme:
- a) "shtetas i një vendi të tretë" është çdo person që nuk është qytetar i Bashkimit Evropian sipas kuptimit të nenit 20, paragrafi 1 të TFBE;
- b) "transferim brenda ndërmarrjes" është lëvizja e përkohshme, për qëllime profesionale ose formimi, e një shtetasi të një vendi të tretë, i cili në kohën e aplikimit për leje të të transferuarit brenda ndërmarrjes banon jashtë territorit të shteteve anëtare, transferohet nga një ndërmarrje e themeluar jashtë territorit të shtetit anëtar, dhe në të cilin shtetasi i vendit të tretë ka detyrime sipas një kontrate pune para dhe gjatë transferimit, në një njësi që i përket ndërmarrjes ose grupit të njëjtë të ndërmarrjeve të themeluar në atë shtet anëtar, dhe, sipas rastit, lëvizja ndërmjet njësive pritëse të themeluara në një ose disa shtete të tjera anëtare;
- c) "i transferuar brenda ndërmarrjes" është çdo shtetas i një vendi të tretë, i cili qëndron jashtë territorit të shteteve anëtare në momentin e aplikimit për leje transferimi brenda ndërmarrjes dhe që i nënshtrohet transferimit brenda ndërmarrjes;
- d) "njësi pritëse" është njësia në të cilën transferohet i transferuari brenda ndërmarrjes, pavarësisht formës së saj ligjore, e themeluar në përputhje me legjislacionin e brendshëm në territorin e vendit anëtar;
- e) "menaxher" është një person, i cili mban një pozicion të lartë dhe drejton
kryesisht menaxhimin e subjektit pritës, merr mbikëqyrje të përgjithshme ose udhëzime kryesisht nga bordi i drejtorëve ose i aksionarëve të biznesit ose të ngjashme. Ky pozicion përfshin: drejtimin e subjektit pritës, të një departamenti ose nënndarjeje të tij; mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së punonjësve të tjerë, specialistëve apo menaxherëve; autoritetin për të rekomanduar punësimin, shkarkimin ose veprime të tjera në lidhje me personelin;
- f) "specialist" është një person, i cili punon për grupin e ndërmarrjeve,
zotëron njohuri të specializuara, thelbësore për fushat e aktivitetit të njësisë pritëse, teknikave apo menaxhimit. Në vlerësimin e njohurive të tilla duhet të merren parasysh jo vetëm
njohuritë specifike për njësinë pritëse, por edhe nëse personi ka një nivel të lartë të kualifikimit, duke përfshirë përvojën e duhur profesionale, referuar një lloji pune ose aktiviteti që kërkon njohuri të veçanta teknike, duke përfshirë edhe mundësinë e pasjes së një profesioni të njohur;
- g) "punonjës praktikant" është personi që zotëron një diplomë universitare dhe është transferuar në një njësi pritëse, për qëllime të zhvillimit të karrierës apo për t’u trajnuar në metodat/teknikat e biznesit dhe që paguhet gjatë periudhës së transferimit;
- h) "anëtarë familjeje" janë shtetasit e vendeve të treta të përmendur në nenin 4, paragrafi 1i Direktivës së Këshillit 2003/86/KE14;
- "leje e të transferuarit brenda ndërmarrjes" është autorizimi që mban akronimin "ICT", i cili i jep të drejtën mbajtësit që të qëndrojë dhe të punojë në territorin e shtetit të parë anëtar dhe, sipas rastit, në territorin e shtetit të dytë anëtar, sipas kushteve të kësaj direktive;
- j) "leje për lëvizje afatgjatë" është autorizimi që mban termin "ICT lëvizjeje" që i jep të drejtën mbajtësit të lejes së qëndrimit brenda ndërmarrjes të qëndrojë dhe të punojë në territorin e shtetit të dytë anëtar sipas kushteve të kësaj direktive;
- k) "procedurë e vetme aplikimi" është procedura e cila, në bazë të një aplikimi për autorizim qëndrimi ose punësimi të një shtetasi të një vendi të tretë në territorin e një shteti anëtar, çon në marrjen e një vendimi për atë aplikim;
- l) "grup ndërmarrjesh" janë dy ose më shumë ndërmarrje të njohura si të lidhura sipas legjislacionit të brendshëm në mënyrat e mëposhtme: një ndërmarrje në raport me një ndërmarrje tjetër, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, zotëron shumicën e kapitalit të shkruar të ndërmarrjes; kontrollon shumicën e votave bashkëngjitur aksioneve të emetuara nga ndërmarrja; ka të drejtë të emërojë më shumë se gjysmën e anëtarëve të organit administrativ, drejtues ose mbikëqyrës të ndërmarrjes;ose ndërmarrjet menaxhohen në mënyrë të unifikuar nga ndërmarrja mëmë;
- m) "shtet anëtar i parë" është shteti anëtar që i lëshon fillimisht shtetasit të vendit të tretë një leje transferimi brenda ndërmarrjes;
- n) "shtet anëtar i dytë" është çdo shtet anëtar në të cilin i transferuari brenda ndërmarrjes synon të ushtrojë ose ushtron të drejtën për të lëvizur sipas kuptimit të kësaj direktive, përveç shtetit anëtar të parë;
- o) "profesion i rregulluar" është profesioni i rregulluar, sipas përkufizimit në pikën "a" të nenit 3, paragrafi 1 të Direktivës 2005/36/KE.
Neni 4
Dispozita më të favorshme
- Kjo direktivë zbatohet pa cenuar dispozitat më të favorshme të:
- a) legjislacionit të BE-së, duke përfshirë marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe të nënshkruara ndërmjet BE-së dhe shteteve të tij anëtare nga njëra anë dhe një ose më shumë shteteve të treta nga ana tjetër;
- b) marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe të nënshkruara ndërmjet një ose më shumë shteteve anëtare dhe një ose më shumë vendeve të treta.
- Kjo direktivë nuk ndikon në të drejtën e shteteve anëtare për të miratuar dhe vendosur kushte më të favorshme për shtetasit e vendeve të treta për të cilët zbatohet përkatësisht germa "h" e nenit 3 dhe neneve 15, 18 dhe 19.
KREU II
KUSHTET E PRANIMIT
Neni 5
Kriteret për pranim
- Pa cenuar nenin 11, paragrafi 1, shtetasi i vendit të tretë, i cili aplikon për t’u pranuar sipas kushteve të kësaj direktive ose, njësia pritëse:
- a) sigurojnë prova se njësia pritëse dhe ndërmarrja, të themeluara në vendin e tretë, i përkasin të njëjtës ndërmarrje ose grup ndërmarrjesh;
- b) sigurojnë dëshmi të punësimit brenda së njëjtës ndërmarrje ose grup ndërmarrjesh, për të paktën tre deri në dymbëdhjetë muaj pa ndërprerje, menjëherë para datës së transferimit brenda ndërmarrjes në rastin e menaxherëve dhe specialistëve, dhe për të paktën tre deri në gjashtë muaj pa ndërprerje në rastin e punonjësve praktikantë;
- c) paraqesin një kontratë pune dhe, nëse është e nevojshme, një letër emërimi nga punëdhënësi që përmban sa më poshtë:
- detajet e kohëzgjatjes së transferimit dhe vendndodhjen e njësisë ose njësive pritëse;
- dëshmi se shtetasi i vendit të tretë do të marrë pozicionin e menaxherit, specialistit ose të punonjësit praktikant në njësinë ose njësitë pritëse në shtetin anëtar në fjalë;
III. shpërblimin si dhe kushtet e punësimit të ofruara gjatë transferimit brenda ndërmarrjes;
- prova se shtetasi i vendit të tretë do të jetë në gjendje të transferohet përsëri në një njësi që është pjesë e kësaj ndërmarrjeje ose grupi ndërmarrjesh dhe të themeluar në një vend të tretë në përfundim të transferimit brenda ndërmarrjes;
- d) sigurojnë dëshmi se shtetasi i vendit të tretë ka kualifikimet dhe përvojën profesionale që nevojitet në njësinë pritëse në të cilën ai ose ajo do të transferohet si menaxher ose specialist ose, në rastin e punonjësit praktikant nevojitet diploma universitare;
- e) sipas rastit, paraqesin dokumentacionin që vërteton se shtetasi i vendit të tretë i plotëson kushtet e parashikuara në legjislacionin e brendshëm të shtetit anëtar në fjalë për qytetarët e BE-së, për të ushtruar profesionin e rregulluar për të cilin është bërë aplikimi;
- f) paraqesin një dokument të vlefshëm udhëtimi të shtetasit të vendit të tretë, siç përcaktohet nga legjislacioni i brendshëm dhe, nëse kërkohet, një aplikim për vizë ose vizë; shtetet anëtare mund të kërkojnë që periudha e vlefshmërisë së dokumentit të udhëtimit të mbulojë të paktën periudhën e vlefshmërisë së lejes së transferimit brenda ndërmarrjes;
- g) pa cenuar marrëveshjet dypalëshe ekzistuese, ofrojnë prova se kanë ose, nëse parashikohet nga legjislacioni i brendshëm, se kanë aplikuar për sigurim në rast sëmundjeje për të gjitha rreziqet që mbulohen normalisht për shtetasit e shtetit anëtar në fjalë, për periudhat kur nuk ka mbulim të tillë sigurimi dhe të drejta përkatëse për përfitimet që ofrohen në lidhje me, ose si rezultat i punës së kryer në atë shtet anëtar.
- Shtetet anëtare mund t’i kërkojnë aplikuesit që të paraqesë dokumentet e renditura në germat "a", "c", "d", "e" dhe "g" të paragrafi 1 në një gjuhë zyrtare të shtetit anëtar në fjalë.
- Shtetet anëtare mund t’i kërkojnë aplikuesit që të sigurojë, maksimumi në momentin e lëshimit të lejes së transferimit brenda ndërmarrjes, adresën e shtetasit të vendit të tretë në fjalë në territorin e shtetit anëtar.
- Shtetet anëtare kërkojnë që:
- a) gjatë transferimit brenda ndërmarrjes, të përmbushen të gjitha kushtet e legjislacionit, rregulloreve ose dispozitave administrative dhe/ose të marrëveshjeve kolektive që zbatohen në mënyrë universale për punonjësit e transferuar në rrethana të ngjashme në degët profesionale përkatëse, në lidhje me kushtet e punësimit, përveç shpërblimit.
Në mungesë të një sistemi për deklarimin e marrëveshjeve kolektive të zbatueshme në mënyrë universale, shtetet anëtare mund të mbështeten në marrëveshjet kolektive që zbatohen në përgjithësi për të gjitha ndërmarrjet e ngjashme në zonën gjeografike dhe në profesionin ose industrinë në fjalë dhe/ose në marrëveshjet kolektive që janë nënshkruar nga shumica e organizatave përfaqësuese të punëdhënësve dhe punëmarrësve në nivel kombëtar dhe që zbatohen në të gjithë territorin e tyre kombëtar;
- b) shpërblimi i dhënë për shtetasin e vendit të tretë gjatë gjithë periudhës së transferimit brenda ndërmarrjes të mos jetë më pak i favorshëm se sa shpërblimi i dhënë për shtetasit e shtetit anëtar ku realizohet puna që kanë pozicione të krahasueshme, në përputhje me legjislacionin ose marrëveshjet kolektive ose praktikat në fuqi në shtetin anëtar ku është themeluar njësia pritëse.
- Në bazë të dokumentacionit të siguruar në përputhje me paragrafin 1, shtetet anëtare mund të kërkojnë që i transferuari brenda ndërmarrjes të ketë burime të mjaftueshme gjatë qëndrimit të tij/saj për të mbajtur veten e tij/saj dhe anëtarët e familjes së tij/saj, pa iu drejtuar sistemit të ndihmës sociale të shtetit anëtar në fjalë.
- Përveç dëshmive të nevojshme sipas paragrafit 1, çdo shtetasi të vendit të tretë që aplikon për t’u pranuar si punonjës praktikant mund t’i kërkohet të paraqesë një kontratë formimi profesional lidhur me përgatitjen për vendin e tij/saj të punës së ardhshme brenda ndërmarrjes ose grupit të ndërmarrjeve, si dhe një përshkrim të programit të formimit, ku të tregohet se qëllimi i qëndrimit është trajnimi i punonjësit praktikant për zhvillim karriere ose për t’u trajtuar në teknikat ose metodat e biznesit, kohëzgjatja e tij dhe kushtet sipas së cilave punonjësi praktikant mbikëqyret gjatë programit.
- Aplikuesi duhet të vejë në dijeni autoritetet kompetente të shtetit anëtar në fjalë për çdo ndryshim gjatë procedurës së aplikimit që ndikon në kriteret për pranim të përcaktuara në këtë nen.
- Për qëllime të kësaj direktive, shtetasit e vendeve të treta që konsiderohen se përbëjnë rrezik për politikën publike, sigurinë publike ose shëndetin publik nuk do të pranohen.
Neni 6
Numri i pranimeve
Kjo direktivë nuk cenon të drejtën e shteteve anëtare për të përcaktuar numrin e pranimeve të shtetasve të vendeve të treta në përputhje me nenin 79, paragrafi 5 i TFBE-së. Mbi këtë bazë, aplikimi për leje transferimi brenda ndërmarrjes mund të konsiderohet ose i papranueshëm ose mund të refuzohet.
Neni 7
Bazat për refuzimin
- Shtetet anëtare e refuzojnë aplikimin për leje transferimi brenda ndërmarrjes në rastet e mëposhtme:
- a) kur nuk respektohet neni 5;
- b) kur dokumentet e paraqitura janë marrë me mashtrim ose janë falsifikuar, manipuluar;
- c) kur njësia pritëse është themeluar për qëllimin kryesor të lehtësimit të hyrjes së të transferuarve brenda ndërmarrjes;
- d) kur ka përfunduar kohëzgjatja maksimale e qëndrimit e përcaktuar në nenin 12, paragrafi 1.
- Shtetet anëtare, sipas rastit, refuzojnë aplikimin kur punëdhënësi ose njësia pritëse është sanksionuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm për punësim të padeklaruar dhe/ose punësim të paligjshëm.
- Shtetet anëtare mund të refuzojnë aplikimin për leje transferimi brenda ndërmarrjes në rastet e mëposhtme:
- a) kur punëdhënësi ose njësia pritëse nuk përmbush detyrimet e saj ligjore lidhur me sigurimet shoqërore, tatimin, të drejtat në punë ose kushtet e punës;
- b) kur veprimtaria e punëdhënësit ose e njësisë pritëse është në falimentim ose ka falimentuar sipas legjislacionit kombëtar për paaftësinë paguese ose kur nuk ushtrohet asnjë veprimtari ekonomike;
- c) kur synimi ose ndikimi i pranisë së përkohshme të të transferuarit brenda ndërmarrjes cenon ose ndikon në rezultatin e çdo mosmarrëveshjeje ose negociate për menaxhimin e punës.
- Shtetet anëtare mund të refuzojnë aplikimin për leje të të transferuarit brenda ndërmarrjes në bazë të arsyeve të përcaktuara në nenin 12, paragrafi 2:
- Pa cenuar paragrafin 1, në çdo vendim për refuzim aplikimi merren në konsideratë rrethanat specifike të rastit dhe respektohet parimi i proporcionalitetit.
Neni 8
Anulimi ose mosrinovimi i lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes
- Shtetet anëtare e anulojnë lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes në rastet e mëposhtme:
- a) kur ajo është marrë me mashtrim ose është falsifikuar, manipuluar;
- b) kur i transferuari brenda ndërmarrjes qëndron në shtetin anëtar në fjalë për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat ai ose ajo është autorizuar të qëndrojë;
- c) kur njësia pritëse është themeluar për qëllimin kryesor të lehtësimit të hyrjes së të transferuarve brenda ndërmarrjes.
- Shtetet anëtare, sipas rastit, anulojnë lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes kur punëdhënësi ose njësia pritëse është sanksionuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm për punësim të padeklaruar dhe/ose punësim të paligjshëm.
- Shtetet anëtare refuzojnë ripërtëritjen e lejes së transferimit brenda ndërmarrjes në rastet e mëposhtme:
- a) kur ajo është marrë me mashtrim ose është falsifikuar, manipuluar;
- b) kur i transferuari brenda ndërmarrjes qëndron në shtetin anëtar në fjalë për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat ai ose ajo është autorizuar të qëndrojë;
- c) kur njësia pritëse është themeluar për qëllimin kryesor të lehtësimit të hyrjes së të transferuarve brenda ndërmarrjes;
- d) kur ka përfunduar kohëzgjatja maksimale e qëndrimit e përcaktuar në nenin 12, paragrafi 1.
- Shtetet anëtare, sipas rastit, refuzojnë ripërtëritjen e lejes së transferuarit brenda ndërmarrjes kur punëdhënësi ose njësia pritëse është sanksionuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm për punësim të padeklaruar dhe/ose punësim të paligjshëm.
- Shtetet anëtare mund të anulojnë ose të refuzojnë ripërtëritjen e lejes së transferimit brenda ndërmarrjes në rastet e mëposhtme:
- a) kur nuk respektohet ose nuk vazhdon të respektohet neni 5;
- b) kur punëdhënësi ose njësia pritëse nuk përmbush detyrimet e saj ligjore lidhur me sigurimet shoqërore, tatimin, të drejtat në punë ose kushtet e punës;
- c) kur veprimtaria e punëdhënësit ose e njësisë pritëse është në falimentim ose ka falimentuar sipas legjislacionit kombëtar për paaftësinë paguese ose kur nuk ushtrohet asnjë veprimtari ekonomike;
- d) kur i transferuari brenda ndërmarrjes nuk ka respektuar rregullat e lëvizjes të përcaktuara në nenet 21 dhe 22.
- Pa cenuar paragrafin 1 dhe 3, në çdo vendim për të anuluar ose refuzuar ripërtëritjen e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes merren në konsideratë rrethanat specifike të rastit dhe respektohet parimi i proporcionalitetit.
Neni 9
Sanksionet
- Shtetet anëtare mund të bëjnë përgjegjëse njësinë pritëse për mosrespektimin e kushteve të pranimit, qëndrimit dhe lëvizjes të përcaktuara në këtë direktivë.
- Shteti anëtar në fjalë parashikon sanksione kur njësia pritëse përgjigjet në përputhje me paragrafin 1. Këto sanksionet duhet të jenë efikase, proporcionale dhe shtrënguese.
- Shtetet anëtare parashikojnë masa për të parandaluar abuzimet e mundshme dhe për të sanksionuar shkeljet e kësaj direktive. Masat përfshijnë monitorimin, vlerësimin dhe, sipas rastit, inspektimin në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe praktikën administrative.
KREU III
PROCEDURA DHE LEJA
Neni 10
Aksesi në informacion
- Shtetet anëtare e bëjnë lehtësisht të aksesueshëm për aplikuesit informacionin për të gjitha provat shkresore të nevojshme për një aplikim dhe informacionin për hyrjen dhe qëndrimin, duke përfshirë të drejtat, detyrimet dhe masat mbrojtëse procedurale të të transferuarit brenda ndërmarrjes dhe të anëtarëve të tij/saj të familjes. Gjithashtu, shtetet anëtare e bëjnë lehtësisht të disponueshëm informacionin për procedurat që zbatohen për lëvizjen afatshkurtër të përmendur në nenin 21, paragrafi 2 dhe për lëvizjen afatgjatë të përmendur në nenin 22, paragrafi 1.
- Shtetet anëtare në fjalë i vënë njësisë pritëse në dispozicion informacionin për të drejtën e tyre për të vendosur sanksione në përputhje me nenet 9 dhe 23.
Neni 11
Aplikimet për leje të të transferuarit brenda ndërmarrjes ose leje për lëvizje afatgjatë
- Shtetet anëtare vendosin nëse një aplikim duhet të dorëzohet nga shtetasi i vendit të tretë ose nga njësia pritëse. Ato mund të vendosin të lejojnë edhe aplikimin nga të dy.
- Aplikimi për lejen të transferuari brenda ndërmarrjes paraqitet kur shtetasi i vendit të tretë qëndron jashtë territorit të shtetit anëtar ku kërkohet pranimi.
- Aplikimi për leje të transferuari brenda ndërmarrjes i paraqitet autoriteteve të shtetit anëtar ku bëhet qëndrimi i parë. Kur qëndrimi i parë nuk është më i gjati, aplikimi i paraqitet autoriteteve të shtetit anëtar ku do të jetë qëndrimi më i gjatë në total gjatë transferimit.
- Shtetet anëtare caktojnë autoritetet kompetente për marrjen e aplikimit dhe për lëshimin e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes ose të lejes për lëvizje afatgjatë.
- Aplikuesi gëzon të drejtën të paraqesë aplikimin me një procedurë të vetme aplikimi.
- Procedurat e thjeshtuara lidhur me lejet e të transferuarve brenda ndërmarrjes, lejet për lëvizje afatgjatë, lejet e dhëna për anëtarët e familjes të të transferuarit brenda ndërmarrjes dhe vizat mund t’ju vihen në dispozicion njësive ose ndërmarrjeve ose grupeve të ndërmarrjeve që janë njohur për këtë qëllim nga shtetet anëtare në përputhje me legjislacionin e brendshëm ose praktikën administrative.
Njohja rivlerësohet rregullisht.
- Procedurat e thjeshtuara të parashikuara në paragrafin 6 përfshijnë së paku:
- a) përjashtimin e aplikuesit nga paraqitja e disa provave të përmendura në nenin 5 ose në germën "a" të nenit 22, paragrafi 2;
- b) një procedurë gjurmimi të shpejtë që mundëson lëshimin e lejeve të të transferuarit brenda ndërmarrjes dhe të lejeve për lëvizje afatgjatë brenda një periudhe më të shkurtër se ajo e specifikuar në nenin 15, paragrafi 1 ose në germën "b" të nenit 22, paragrafi 2; dhe/ose
- c) procedura të lehtësuara dhe/ose të përshpejtuara në lidhje me çështjen e vizave që kërkohen.
- Njësitë ose ndërmarrjet ose grupet e ndërmarrjeve që janë njohur në përputhje me paragrafin 6 i njoftojnë menjëherë dhe në çdo rast brenda 30 ditëve autoritetit përkatës çdo ndryshim që ndikon në kushtet për njohjen.
- Shtetet anëtare parashikojnë sanksione të përshtatshme, duke përfshirë revokimin e njohjes në rast mosnjoftimi të autoritetit përkatës.
Neni 12
Kohëzgjatja e transferimit brenda ndërmarrjes
- Kohëzgjatja maksimale për transferimet brenda ndërmarrjes është tre vjet për menaxherët dhe specialistët, dhe një vit për punonjësit praktikantë, kohëzgjatje pas së cilës ata duhet të largohen nga territori i shteteve anëtare, përveç nëse marrin leje qëndrimi për arsye tjetër në përputhje me legjislacionin e BE-së ose të brendshëm.
- Pa cenuar detyrimet e tyre sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, shtetet anëtare mund të kërkojnë që të kalojë një periudhë prej gjashtë muajsh ndërmjet përfundimit të kohëzgjatjes maksimale të transferimit të përmendur në paragrafin 1 dhe aplikimit tjetër për të njëjtin shtetas të vendit të tretë për qëllime të kësaj direktive në të njëjtin shtet anëtar.
Neni 13
Leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes
- Leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes ju lëshohet të transferuarve brenda ndërmarrjes që përmbushin kriteret e pranimit të përcaktuara në nenin 5, dhe për të cilët autoritetet kompetente kanë marrë një vendim pozitiv.
- Periudha e vlefshmërisë së lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes është të paktën një vit ose sa kohëzgjatja e transferimit në territorin e shtetit anëtar përkatës, cilado periudhë qoftë më e shkurtër, dhe ajo mund të zgjatet deri në një maksimum prej tre vitesh për menaxherët dhe specialistët dhe një vit për punonjësit praktikantë.
- Leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes lëshohet nga autoritetet kompetente të shtetit anëtar duke përdorur një format uniform të përcaktuar në Rregulloren (KE) nr. 1030/2002.
- Në titullin "lloji i lejes", në përputhje me germën "a", pika 6.4 e shtojcës së Rregullores (KE) nr. 1030/2002, shtetet anëtare vendosin "ICT".
Shtetet anëtare mund të shtojnë edhe një tregues në gjuhën ose gjuhët e tyre zyrtare.
- Shtetet anëtare nuk lëshojnë leje shtesë, veçanërisht leje pune të çdo lloji.
- Shtetet anëtare mund të paraqesin informacion shtesë lidhur me veprimtarinë e punësimit gjatë transferimit të shtetasit të vendit të tretë brenda ndërmarrjes në formë shkresore dhe/ose t’i ruajnë këto të dhëna në formë elektronike siç përmendet në nenin 4 të Rregullores (KE) nr. 1030/2002 dhe germa "a", neni 16 i shtojcës së saj.
- Shteti anëtar në fjalë u jep shtetasve të një vendi të tretë të cilët kanë paraqitur një aplikim çdo lehtësi për të marrë vizat e kërkuara.
Neni 14
Ndryshimet që ndikojnë në kushtet për pranim gjatë qëndrimit
Aplikuesi duhet të vejë në dijeni autoritetet kompetente të shtetit anëtar në fjalë për çdo ndryshim gjatë qëndrimit që ndikon në kushtet për pranim të përcaktuara në nenin 5.
Neni 15
Masat mbrojtëse procedurale
- Autoritetet kompetente të shtetit anëtar në fjalë miratojnë një vendim lidhur me aplikimin për leje të transferuarit brenda ndërmarrjes ose ripërtëritjen e saj, dhe vendimi i përcillet me shkrim aplikuesit, në përputhje me procedurat e njoftimit sipas legjislacionit të brendshëm, sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 90 ditë nga data në të cilën është paraqitur aplikimi i plotë.
- Kur mungon informacioni ose dokumentacioni i dhënë në mbështetje të aplikimit, autoritetet kompetente njoftojnë aplikuesin brenda një periudhe të arsyeshme për informacionin shtesë që nevojitet dhe caktojnë një afat të arsyeshëm për ofrimin e tij. Periudha e përmendur në paragrafin 1 pezullohet derisa autoritetet kompetente të kenë marrë informacionin shtesë të kërkuar.
- Aplikuesit i jepen me shkrim arsyet për shpalljen e vendimit të mospranimit ose refuzimit të aplikimit ose të refuzimit të ripërtëritjes. Të transferuarit brenda ndërmarrjes dhe njësisë pritëse i jepen me shkrim arsyet për anulimin e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes.
- Çdo vendim për shpalljen e mospranimit ose refuzimit të aplikimit, refuzimit të ripërtëritjes ose të anulimit të lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes është i hapur ndaj oponencës ligjore në shtetin anëtar përkatës, në përputhje me legjislacionin e brendshëm. Në njoftimin me shkrim specifikohet gjykata ose autoriteti administrativ ku mund të depozitohet apelimi dhe afati kohor për depozitimin e apelimeve.
- Brenda periudhës së përmendur në nenin 12, paragrafi 1, aplikuesi mund të paraqesë një aplikim për ripërtëritje përpara skadimit të lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes. Për paraqitjen e një aplikimi për ripërtëritje, shtetet anëtare mund të vendosin një afat maksimal prej 90 ditësh para skadimit të lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes.
- Kur vlefshmëria e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes përfundon gjatë procedurës për ripërtëritje, shtetet anëtare e lejojnë të transferuarin brenda ndërmarrjes të qëndrojë në territorin e tyre derisa autoritetet kompetente të kenë marrë një vendim për aplikimin. Në këtë rast, ata mund të lëshojnë, kur kërkohet sipas legjislacionit të brendshëm, lejet e qëndrimit të përkohshëm të vendit ose autorizime ekuivalente.
Neni 16
Tarifat
Shtetet anëtare mund të kërkojnë pagesën e tarifave për trajtimin e aplikimeve në përputhje me këtë direktivë. Këto tarifa nuk janë joproporcionale ose të tepërta.
KREU IV
TË DREJTAT
Neni 17
Të drejtat nga leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes
Gjatë periudhës së vlefshmërisë së lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes, mbajtësi gëzon së paku të drejtat e mëposhtme:
- a) të drejtën e hyrjes dhe qëndrimit në territorin e shtetit anëtar të parë;
- b) hyrjen e lirë në të gjithë territorin e shtetit anëtar të parë në përputhje me legjislacionin e brendshëm;
- c) të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë specifike të punësimit të autorizuar sipas lejes në përputhje me legjislacionin e brendshëm në çdo njësi pritëse që i përket ndërmarrjes ose grupit të ndërmarrjeve në shtetin e parë anëtar.
Të drejtat e përmendura në germat "a" deri në "c" të paragrafit të parë të këtij neni shfrytëzohen në shtetin e dytë anëtar në përputhje me nenin 20.
Neni 18
E drejta për trajtim të barabartë
- Pavarësisht legjislacionit të zbatueshëm për marrëdhënien e punës dhe pa cenuar germën "b" të nenit 5, paragrafi 4, të transferuarit brenda ndërmarrjeve të pranuar sipas kësaj direktive gëzojnë të paktën trajtim të barabartë me personat e mbuluar nga Direktiva 96/71/KE në lidhje me kushtet e punësimit në përputhje me nenin 3 të Direktivës 96/71/KE në shtetin anëtar ku kryhet puna.
- Të transferuarit brenda ndërmarrjes gëzojnë trajtim të barabartë me shtetasit e shtetit anëtar ku kryhet puna në lidhje me:
- a) lirinë e ndërlidhjes, përkatësisë dhe anëtarësisë në një organizatë që përfaqëson punëmarrësit ose punëdhënësit ose në çdo organizatë anëtarët e së cilës janë të angazhuar në një profesion të caktuar, duke përfshirë përfitimet e dhëna nga këto organizata, pa cenuar dispozitat kombëtare për politikat publike dhe sigurinë publike;
- b) njohjen e diplomave, certifikatave dhe të kualifikimeve të tjera profesionale në përputhje me procedurat e brendshme përkatëse;
- c) dispozitat në legjislacionin e brendshëm lidhur me degët e sigurimeve shoqërore siç përcaktohet në nenin 3 të Rregullores (KE) nr. 883/2004, përveç nëse zbatohet legjislacioni i vendit të origjinës në sajë të marrëveshjeve dypalëshe ose nëse zbatohet legjislacioni i brendshëm i shtetit anëtare ku kryhet puna, duke garantuar mbulimin e të transferuarit brenda ndërmarrjes nga legjislacioni për sigurimet shoqërore në një prej këtyre vendeve. Në rastin e lëvizjes brenda BE-së dhe pa cenuar marrëveshjet dypalëshe që garantojnë mbulimin e të transferuarit brenda ndërmarrjes nga legjislacioni i brendshëm i vendit të origjinës, zbatohet përkatësisht Rregullorja (BE) nr. 1231/2010;
- d) pa cenuar Rregulloren (BE) nr. 1231/2010 dhe marrëveshjet dypalëshe, pagesën e pensioneve të detyrueshme të pleqërisë, invaliditetit dhe vdekjes, bazuar në punësimin e mëparshëm të të transferuarve brenda ndërmarrjes dhe të fituara nga të transferuarit brenda ndërmarrjeve që lëvizin në një vend të tretë ose personat në varësi të tyre që qëndrojnë në një vend të tretë, të drejta që rrjedhin nga të transferuarit brenda ndërmarrjes, në përputhje me legjislacionin e përcaktuar në nenin 3 të Rregullores (KE) nr. 883/2004, sipas të njëjtave kushte dhe në të njëjtat nivele si shtetasit e shtetit anëtar në fjalë kur ata lëvizin në një vend të tretë;
- e) aksesin në mallra dhe shërbime dhe furnizimi i tyre në dispozicion të publikut, përveç procedurave për të përfituar strehim siç parashikohet nga legjislacioni i brendshëm, pa cenuar lirinë e lidhjes së kontratave në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe të brendshëm, dhe shërbimet e ofruara nga zyrat publike të punësimit.
Marrëveshjet dypalëshe ose legjislacioni i brendshëm i përmendur në këtë paragraf përbëjnë marrëveshjet ndërkombëtare ose dispozitat e vendeve anëtare sipas kuptimit të nenit 4.
- Pa cenuar Rregulloren (BE) nr. 1231/2010, shtetet anëtare mund të vendosin që germa "c" e paragrafit 2 në lidhje me përfitimet familjare të mos zbatohet për të transferuarit brenda ndërmarrjes që nuk janë autorizuar të qëndrojnë ose të punojnë në territorin e një shteti anëtar për një periudhë jo më të gjatë se nëntë muaj.
- Ky nen nuk cenon të drejtën e shtetit anëtar të anulojë ose të refuzojë ripërtëritjen e lejes në përputhje me nenin 8.
Neni 19
Anëtarët e familjes
- Direktiva 2003/86/KE zbatohet në vendin e parë anëtar dhe në vendet e tyre anëtare të cilat i mundësojnë të transferuarit brenda ndërmarrjes qëndrimin dhe punën në territorin e tyre në përputhje me nenin 22 të kësaj direktive, objekt i derogimeve të parashikuara në këtë nen.
- Duke deroguar nga neni 3, paragrafi 1 dhe neni 8 i Direktivës 2003/86/KE, bashkimi familjar në shtetet anëtare nuk varet nga kushti që mbajtësi i lejes të lëshuar nga këto shtete anëtare sipas kësaj direktive të ketë perspektivë të arsyeshme për marrjen e së drejtës së qëndrimit të përhershëm dhe periudhë minimale qëndrimi.
- Duke deroguar nga nënparagrafi i tretë i nenit 4, paragrafi 1 dhe nga neni 7, paragrafi 2 i Direktivës 2003/86/KE, masat e integrimit të përmendura në të mund të zbatohen nga shtetet anëtare vetëm pasi personave në fjalë t’ju jetë dhënë bashkimi familjar.
- Duke deroguar nga nënparagrafi i parë i nenit 5, paragrafi 4 i Direktivës 2003/86/KE, nëse përmbushen kushtet për bashkim familjar, lejet e qëndrimit për anëtarët e familjes jepen nga shteti anëtar brenda 90 ditëve nga data e dorëzimit të aplikimit të plotë. Autoriteti kompetent i shtetit anëtar përpunon aplikimin për leje qëndrimi të anëtarëve të familjes së të transferuarit brenda ndërmarrjes njëkohësisht me aplikimin për leje të këtij të fundit, ose me lejen për lëvizje afatgjatë, në rastet kur aplikimi për leje qëndrimi për anëtarët e familjes së të transferuarit brenda ndërmarrjes dorëzohet në të njëjtën kohë. Zbatohen përkatësisht masat mbrojtëse procedurale të parashikuara në nenin 15.
- Duke deroguar nga neni 13, paragrafi 2 i Direktivës 2003/86/KE, kohëzgjatja e vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit të anëtarëve të familjes në një shtet anëtar, si rregull i përgjithshëm, përfundon në datën e skadimit të lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes ose të lejes për lëvizje afatgjatë të lëshuar nga ai shtet anëtar.
- Duke deroguar nga neni 14, paragrafi 2 i Direktivës 2003/86/KE dhe pa cenuar parimin e preferencës për qytetarët e BE-së, siç shprehet në dispozitat përkatëse të akteve përkatëse të aderimit, anëtarët e familjes së të transferuarit brenda ndërmarrjes, të cilëve u është dhënë bashkim familjar, kanë të drejtën të kenë akses në punësim dhe veprimtari me vetëpunësim në territorin e shtetit anëtar që ka lëshuar lejen e qëndrimit të tyre.
KREU V
LËVIZSHMËRIA BRENDA BE-SË
Neni 20
Lëvizshmëria
Shtetasit e vendeve të treta që kanë një leje të transferuari brenda ndërmarrjes të lëshuar nga shteti anëtar i parë, në bazë të kësaj leje dhe të një dokumenti të vlefshëm udhëtimi dhe sipas kushteve të përcaktuara në nenin 21 dhe 22 dhe sipas nenit 23, mund të hyjnë, të qëndrojnë dhe të punojnë në një ose disa shtete të dyta anëtare.
Neni 21
Lëvizshmëria afatshkurtër
- Shtetasit e vendeve të treta që kanë një leje të transferuari brenda ndërmarrjes të lëshuar nga shteti anëtar i parë gëzojnë të drejtën të qëndrojnë në shtetin e dytë anëtar dhe të punojnë në çdo njësi tjetër të themeluar në këtë të fundit, që i përket të njëjtës ndërmarrjeje ose grup ndërmarrjesh, për një periudhë maksimale deri në 90 ditë për çdo periudhë 180 ditore për shtet anëtar, sipas kushteve të përcaktuara në këtë nen.
- Shteti i dytë anëtar mund t’i kërkojë njësisë pritëse në shtetin e parë anëtar që të njoftojë shtetin e parë anëtar dhe shtetin e dytë anëtar për synimin që i transferuari brenda ndërmarrjes ka për të punuar në një njësi të themeluar në shtetin tjetër anëtar.
Në raste të tilla, shteti i dytë anëtar lejon që njoftimi të bëhet ose:
- a) në momentin e aplikimit në shtetin e parë anëtar, kur lëvizja në shtetin e dytë anëtar është parashikuar në atë fazë; ose
- b) pasi i transferuari brenda ndërmarrjes të jetë pranuar në shtetin e parë anëtar, menjëherë sapo të njihet lëvizja e synuar në shtetin e dytë anëtar.
- Shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që njoftimi të përfshijë përcjelljen e dokumenteve dhe të informacionit në vijim:
- a) prova se njësia pritëse në shtetin e dytë anëtar dhe ndërmarrja e themeluar në vendin e tretë i përkasin të njëjtës ndërmarrje ose grup ndërmarrjesh;
- b) kontratën e punës dhe, nëse është e nevojshme, letrën e emërimit, të cilat i janë përcjellë shtetit të parë anëtar në përputhje me germën "c" të nenit 5, paragrafi 1;
- c) sipas rastit, dokumentacionin që vërteton se i transferuari brenda ndërmarrjes i plotëson kushtet e parashikuara nga legjislacioni i brendshëm të shtetit anëtar përkatës për qytetarët e BE-së për të ushtruar profesionin e rregulluar për të cilin është bërë aplikimi;
- d) një dokument të vlefshëm udhëtimi siç parashikohet në germën "f" të nenit 5, paragrafi 1; dhe
- e) kur nuk specifikohet në ndonjë prej dokumenteve të mësipërme, kohëzgjatjen e planifikuar dhe datat e lëvizjes.
Shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që këto dokumente dhe informacioni të paraqiten në një gjuhë zyrtare të shtetit anëtar:
- Nëse njoftimi është bërë në përputhje me germën "a" të paragrafit 2, dhe nëse shteti i dytë anëtar nuk ka ngritur ndonjë kundërshtim për shtetin e parë anëtar në përputhje me paragrafin 6, lëvizja e të transferuarit brenda ndërmarrjes në shtetin e dytë anëtar mund të ndodhë në çdo moment brenda periudhës së vlefshmërisë së lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes.
- Nëse njoftimi është bërë në përputhje me germën "b" të paragrafit 2, lëvizja mund të fillojë pas dhënies së njoftimit për shtetin e dytë anëtar, menjëherë ose në çdo moment, brenda periudhës së vlefshmërisë së lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes.
- Bazuar në njoftimin e përmendur në paragrafin 2, shteti i dytë anëtar mund të kundërshtojë lëvizjen e të transferuarit brenda ndërmarrjes në territorin e tij brenda 20 ditëve nga marrja e njoftimit, kur:
- a) janë përmbushur kushtet e përcaktuara në germën "b" të nenit 5, paragrafi 4 ose në germën "a", "c" ose "d" të paragrafit 3 të këtij neni;
- b) dokumentet e paraqitura janë marrë me mashtrim ose janë falsifikuar, manipuluar;
- c) ka përfunduar kohëzgjatja maksimale e qëndrimit e përcaktuar në nenin 12, paragrafi 1 ose në paragrafin 1 të këtij neni.
Autoritetet kompetente të shtetit të dytë anëtar informojnë menjëherë për refuzimin e lëvizjes autoritetet kompetente të shtetit të parë anëtar dhe njësinë pritëse në shtetin e parë anëtar.
- Nëse shteti i dytë anëtar refuzon lëvizjen në përputhje me paragrafin 6 të këtij neni, dhe nëse nuk ka pasur ende lëvizje, të transferuarit brenda ndërmarrjes nuk i lejohet të punojë në atë shtet në kuadër të transferimit brenda ndërmarrjes. Kur ka pasur lëvizje, zbatohet neni 23, paragrafi 4 dhe 5.
- Nëse leja e të të transferuarit brenda ndërmarrjes ripërtërihet nga shteti i parë anëtar brenda periudhës maksimale të parashikuar në nenin 12, paragrafi 1, leja e ripërtëritur e të të transferuarit brenda ndërmarrjes vazhdon të autorizojë mbajtësin e saj të punojë në shtetin e dytë anëtar, sipas kohëzgjatjes maksimale të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
- Të transferuarit brenda ndërmarrjes që konsiderohen se përbëjnë rrezik për politikën publike, sigurinë publike ose shëndetin publik nuk do të lejohen të hyjnë ose të qëndrojnë në territorin e shtetit të dytë anëtar.
Neni 22
Lëvizja afatgjatë
- Për sa u përket shtetasve të vendeve të treta që zotërojnë një leje të vlefshme të të transferuarit brenda ndërmarrjes të lëshuar nga shteti i parë anëtar dhe që synojnë të qëndrojnë në një shtet anëtar të dytë dhe të punojnë në një njësi tjetër, të themeluar në këtë fundit, që i përket të njëjtës ndërmarrje ose grup ndërmarrjesh, për më shumë se 90 ditë për çdo shtet anëtar, shteti i dytë anëtar mund të vendosë:
- a) të zbatojë nenin 21 dhe të lejojë të transferuarit brenda ndërmarrjes të qëndrojnë dhe të punojnë në territorin e tij mbi bazën dhe gjatë periudhës së vlefshmërisë të lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes të lëshuar nga shteti i parë anëtar; ose
- b) të zbatojë procedurën e parashikuar në paragrafët 2 deri në 7.
- Kur paraqitet një aplikim për lëvizje afatgjatë:
- a) Shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që aplikuesi të përcjellë disa ose të gjitha dokumentet në vijim kur kërkohen nga shteti i dytë anëtar për një aplikim fillestar:
- prova se njësia pritëse në shtetin e dytë anëtar dhe ndërmarrja e themeluar në vendin e tretë i përkasin të njëjtës ndërmarrje ose grup ndërmarrjesh;
- një kontratë pune dhe, nëse është e nevojshme, një letër emërimi, siç parashikohet në germën "c" të nenit 5, paragrafi 1;
III. sipas rastit, dokumentacionin që vërteton se shtetasi i vendit të tretë i plotëson kushtet e parashikuara nga legjislacioni i brendshëm i shtetit anëtar përkatës në fjalë për qytetarët e BE-së, për të ushtruar profesionin e rregulluar për të cilin është bërë aplikimi;
- një dokument të vlefshëm udhëtimi siç parashikohet në germën "f" të nenit 5, paragrafi 1;
- prova që merr, ose nëse parashikohet nga legjislacioni i brendshëm, që ka aplikuar për sigurime në rast sëmundjeje, siç parashikohet në germën "g" të nenit 5, paragrafi 1.
Shtetet anëtare mund t’i kërkojnë aplikuesit që të sigurojë, maksimumi në momentin e lëshimit të lejes për lëvizje afatgjatë, adresën e të transferuarit brenda ndërmarrjes në fjalë në territorin e shtetit të dytë anëtar.
Shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që këto dokumente dhe informacion të paraqiten në një gjuhë zyrtare të shtetit anëtar;
- b) shteti i dytë anëtar merr një vendim për aplikimin për lëvizje afatgjatë dhe ia përcjell vendimin me shkrim aplikuesit sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 90 ditë nga data në të cilën aplikimi dhe dokumentet e parashikuara në germën "a" janë paraqitur pranë autoriteteve kompetente të shtetit të dytë anëtar;
- c) të transferuarit brenda ndërmarrjes nuk i kërkohet të largohet nga territoret e shteteve anëtare për të dorëzuar aplikimin dhe nuk është i nënshtrohet kërkesës për vizë;
- d) të transferuarit brenda ndërmarrjes i lejohet të punojë në shtetin e dytë anëtar derisa të jetë marrë një vendim për aplikimin për lëvizje afatgjatë nga autoritetet kompetente, me kusht që:
- të mos ketë përfunduar periudha kohore e përmendur në nenin 21, paragrafi 1 dhe periudha e vlefshmërisë së lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes të lëshuar nga shteti i parë anëtar; dhe
- nëse shteti i dytë anëtar e kërkon, aplikimi i plotë t’i jetë dorëzuar shtetit të dytë anëtare të paktën 20 ditë para fillimit të lëvizjes afatgjatë të të transferuarit brenda ndërmarrjes;
- e) aplikimi për lëvizje afatgjatë nuk mund të dorëzohet në të njëjtën kohë me njoftimin për lëvizje afatgjatë. Kur pas fillimit të lëvizjes afatshkurtër të të transferuarit brenda ndërmarrjes lind nevoja për lëvizje afatgjatë, shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që aplikimi për lëvizje afatgjatë të dorëzohet të paktën 20 ditë para përfundimit të lëvizjes afatshkurtër.
- Shtetet anëtare mund të refuzojnë aplikimin për lëvizje afatgjatë kur:
- a) nuk plotësohen kushtet e përcaktuara në germën "a" të paragrafit 2 të këtij neni ose kriteret e përcaktuara në nenin 5, paragrafi 4, nenin 5, paragrafi 5 ose neni 5, paragrafi 8;
- b) zbatohet një nga arsyet e mbuluara nga germa "b" deri në "d" të nenit 7, paragrafi 1 ose nga neni 7, paragrafi 2, 3 ose 4; ose
- c) vlefshmëria e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes skadon gjatë procedurës.
- Kur shteti i dytë anëtar merr një vendim pozitiv për aplikimin për lëvizje afatgjatë, siç përmendet në paragrafin 2, të transferuarit brenda ndërmarrjes i lëshohet një leje për lëvizje afatgjatë që i mundëson atij të qëndrojë dhe të punojë në territorin e tij. Kjo leje lëshohet duke përdorur formatin uniform të përcaktuar në Rregulloren (KE) nr. 1030/2002. Në titullin "lloji i lejes", në përputhje me germën "a", pika 6.4 e shtojcës së Rregullores (KE) nr. 1030/2002, shtetet anëtare vendosin: "ICT lëvizjeje". Shtetet anëtare mund të shtojnë edhe një tregues në gjuhën ose gjuhët e tyre zyrtare.
Shtetet anëtare mund të paraqesin informacion shtesë lidhur me veprimtarinë e punësimit gjatë lëvizjes afatgjatë të të transferuarit brenda ndërmarrjes në formë shkresore dhe/ose t’i ruajnë këto të dhëna në formë elektronike siç përmendet në nenin 4 të Rregullores (KE) nr. 1030/2002 dhe germa "a", neni 16 i shtojcës së saj.
- Ripërtëritja e lejes për lëvizje afatgjatë nuk cenon nenin 11, paragrafi 3.
- Shteti i dytë anëtar informon autoritetet kompetente të shtetit të parë anëtar ku është lëshuar leja për lëvizje afatgjatë.
- Nëse shteti anëtar merr një vendim në lidhje me një aplikim për lëvizje afatgjatë, zbatohet përkatësisht neni 8, neni 15 paragrafi 2 deri në 6 dhe neni 16.
Neni 23
Masat mbrojtëse dhe sanksionet
- Nëse leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes lëshohet nga një shtet anëtar që nuk zbaton plotësisht legjislacionin e Shengenit dhe nëse i transferuari brenda ndërmarrjes kalon një kufi të jashtëm, shteti i dytë anëtar ka të drejtën të kërkojë si prova që i transferuari brenda ndërmarrjes po lëviz për në shtetin e dytë anëtar në kuadër të transferimit brenda ndërmarrjes:
- a) një kopje të njoftimit të dërguar nga njësia pritëse në shtetin e parë anëtar në përputhje me nenin 21, paragrafi 2; ose
- b) një letër nga njësia pritëse në vendin e dytë anëtar që specifikon, së paku, detajet e kohëzgjatjes së lëvizjes brenda BE-së dhe vendndodhjen e njësisë ose njësive pritëse në shtetin e dytë anëtar.
- Kur shteti i parë anëtar anulon lejen e të transferuarit brenda ndërmarrjes, ai informon menjëherë autoritetet e shtetit anëtar të dytë.
- Njësia pritëse e shtetit të dytë anëtar informon autoritetet kompetente të shtetit anëtar të dytë për çdo ndryshim që ndikon në kushtet sipas të cilave është lejuar lëvizja.
- Shteti i dytë anëtar mund të kërkojë që i transferuari brenda ndërmarrjes të ndërpresë menjëherë veprimtarinë e punësimit dhe të largohet nga territori i tij kur:
- a) nuk është njoftuar në përputhje me nenin 21, paragrafi 2 dhe 3, dhe kur e kërkon një njoftim të tillë;
- b) ka refuzuar lëvizjen në përputhje me nenin 21, paragrafi 6;
- c) ka refuzuar një aplikim për lëvizje afatgjatë në përputhje me nenin 22, paragrafi 3;
- d) leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes për lëvizje afatgjatë përdoret për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat është lëshuar;
- e) nuk përmbushen më kushtet sipas së cilave është lejuar lëvizja.
- Në rastet e përmendura në paragrafin 4, shteti i parë anëtar, pas kërkesës së shtetit të dytë anëtar, i mundëson rihyrjen të transferuarit brenda ndërmarrjes dhe, sipas rastit, anëtarëve të familjes së tij ose saj, pa formalitete dhe në mënyrë të menjëhershme. Kjo vlen edhe nëse vlefshmëria e lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes e lëshuar nga shteti i parë anëtar ka përfunduar ose është anuluar gjatë periudhës së lëvizjes brenda shtetit të dytë anëtar.
- Kur mbajtësi i lejes së të transferuarit brenda ndërmarrjes kalon kufirin e jashtëm të një shteti anëtar që zbaton plotësisht legjislacionin e Shengenit, shteti anëtar në fjalë konsultohet me Sistemin e Informacionit të Shengenit. Shteti anëtar në fjalë u refuzon hyrjen ose është kundër lëvizjes së personave për të cilët është lëshuar një alarm në Sistemin e Informacionit të Shengenit, me qëllim refuzimin e hyrjes dhe qëndrimit.
- Shtetet anëtare mund të vendosin sanksione kundrejt njësisë pritëse të themeluar në territorin e tyre në përputhje me nenin 9, kur:
- a) njësia pritëse nuk ka njoftuar për lëvizjen e të transferuarit brenda ndërmarrjes në përputhje me nenin 21, paragrafi 2 dhe 3;
- b) leja e të transferuarit brenda ndërmarrjes për lëvizje afatgjatë përdoret për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat është lëshuar;
- c) aplikimi për leje të transferuari brenda ndërmarrjes i është paraqitur një shteti anëtar të ndryshëm nga ai ku ndodh qëndrimi më i gjatë i përgjithshëm;
- d) i transferuari brenda ndërmarrjes nuk përmbush më kriteret dhe kushtet sipas së cilave është lejuar lëvizja dhe njësia pritëse nuk njofton autoritetet e shtetit të dytë anëtar për këtë ndryshim;
- e) i transferuari brenda ndërmarrjes ka filluar të punojë në shtetin e dytë anëtar, pavarësisht se nuk janë përmbushur kushtet për lëvizjen, në rast se zbatohet neni 21, paragrafi 5 ose pika "d" e nenit 22, paragrafi 2.
KREU VI
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 24
Statistikat
- Shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit statistikat për numrin e lejeve të të transferuarve brenda ndërmarrjes dhe të lejeve të lëvizjes afatgjatë të lëshuara për herë të parë, dhe, sipas rastit, njoftimet e marra në përputhje me nenin 21, paragrafi 2 dhe, për aq sa është e mundur, statistika për numrin e të transferuarve brenda ndërmarrjes të cilëve u është ripërtërirë ose anuluar leja. Këto statistika ndahen sipas shtetësisë dhe periudhës së vlefshmërisë së lejes dhe, për aq sa është e mundur, sipas sektorit ekonomik dhe pozicionit të të transferuarit.
- Statistikat tregojnë periudhat referencë të një viti kalendarik dhe i komunikohen Komisionit brenda gjashtë muajve pas përfundimit të vitit referencë. Viti i parë referencë është viti 2017.
- Statistikat komunikohen në përputhje me Rregulloren (KE) nr. 862/2007 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit15.
Neni 25
Raportimi
Çdo tre vjet, dhe për herë të parë jo më vonë se 29 nëntori 2019, Komisioni do t’i dorëzojë një raport Parlamentit Evropian dhe Këshillit për zbatimin e kësaj direktive në shtetet anëtare dhe do të propozojë ndryshimet e nevojshme. Në veçanti, raporti do të fokusohet në vlerësimin e funksionimit të duhur të skemës së lëvizjes brenda BE-së dhe në keqpërdorimet e mundshme të kësaj skeme, si dhe në ndërveprimin e saj me tërësinë e legjislacionit të Shengenit. Komisioni vlerëson në veçanti zbatimin në praktikë të neneve 20, 21, 22, 23 dhe 26.
Neni 26
Bashkëpunimi ndërmjet pikave të kontaktit
- Shtetet anëtare caktojnë pikat e kontaktit, të cilat bashkëpunojnë në mënyrë efektive dhe janë përgjegjëse për marrjen dhe përcjelljen e informacionit të nevojshëm për të zbatuar nenet 21, 22 dhe 23. Shtetet anëtare i japin përparësi shkëmbimit të informacionit përmes mjeteve elektronike.
- Nëpërmjet pikave kombëtare të kontaktit të përmendura në paragrafin 1, çdo shtet anëtar informon shtetet e tjera anëtare për autoritetet e caktuara të përmendura në nenin 11, paragrafi 4 dhe për procedurën e zbatuar për lëvizjen e përmendur në nenet 21 dhe 22.
Neni 27
Transpozimi
- Shtetet anëtare miratojnë ligjet, rregulloret dhe dispozitat e nevojshme administrative për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë deri më 29 nëntor 2016. Ato ia komunikojnë menjëherë tekstin e këtyre masave Komisionit.
Kur shtetet anëtare i miratojnë këto masa, ato duhet të përmbajnë një referencë ndaj kësaj direktive ose të shoqërohen nga një referencë e tillë në rastin e publikimit të tyre zyrtar. Mënyra sesi do të bëhet kjo referencë përcaktohet nga shtetet anëtare.
- Shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit tekstin e dispozitave kryesore të legjislacionit të brendshëm që ato miratojnë në fushën që mbulohet nga kjo direktivë.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Kjo direktivë hyn në fuqi një ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 29
Marrësit
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare në përputhje me traktatet.
Nënshkruar në Bruksel, më 15 maj 2014.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
- SCHULZ
Për Këshillin
Presidenti
- KOURKOULAS
- Gazeta Zyrtare C 218, 23.7.2011, f. 101.
- 2. Gazeta Zyrtare C 166, 7.6.2011, f. 59.
- Qëndrimi i Parlamentit Evropian i datës 15 prill 2014 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare) dhe Vendimi i Këshillit i datës 13 maj 2014.
- Direktiva 96/71/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 16 dhjetorit 1996 për transferimin e punonjësve në kuadër të ofrimit të shërbimeve (Gazeta Zyrtare L 18, 21.1.1997, f. 1).
- Direktiva 2005/36/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 7 shtatorit 2005 "Për njohjen e kualifikimeve profesionale" (Gazeta Zyrtare L 255, 30.9.2005, f. 22).
- Direktiva 2009/52/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 18 qershor 2009, "Për parashikimin e standardeve minimale të sanksioneve dhe masave ndaj punëdhënësve për shtetasit e vendeve të treta me qëndrim të parregullt" (Gazeta Zyrtare L 168, 30.6.2009, f. 24).
- Rregullorja (KE) nr. 562/2006 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 15 marsit 2006 për vendosjen e një Kodi të Komunitetit për rregullat që rregullojnë lëvizjen e personave ndërmjet kufijve (Kodi për Kufijtë e Shengenit) (Gazeta Zyrtare L 105, 13.4.2006, f. 1).
- Rregullorja (KE) nr. 1987/2006 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 20 dhjetor 2006, "Për ngritjen, funksionimin dhe përdorimin e Sistemit e Informacionit të Shengenit të gjeneratës së dytë (SIS II) (Gazeta Zyrtare L 381, 28.12.2006, f. 4).
- Rregullorja e Këshillit (KE) nr. 1030/2002, datë 13 qershor 2002, "Për përcaktimin e një formati uniform për lejet e qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta" (Gazeta Zyrtare L 157, 15.6.2002, f. 1).
- Rregullorja (KE) nr. 883/04 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 29 prill 2004 "Për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore (Gazeta Zyrtare L 166, 30.4.2004, f. 1).
- Rregullorja (BE) nr. 1231/2010 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 24 nëntor 2010, "Për zgjerimin e Rregullores (KE) nr. 883/2004 dhe Rregullores (KE) nr. 987/2009 "Për shtetasit e vendeve të treta që nuk janë mbuluar tashmë nga këto rregullore vetëm për shkak të kombësisë së tyre" (Gazeta Zyrtare L 344, 29.12.2010, f. 1).
- Direktiva e Këshillit 2005/71/KE, datë 12 tetor 2005, "Për procedurat specifike për pranimin e shtetasve të vendeve të treta për qëllime të kërkimeve shkencore" (Gazeta Zyrtare L 289, 3.11.2005, f. 15).
- Gazeta Zyrtare C 369, 17.12.2011, f. 14.
- Direktiva e Këshillit 2003/86/KEE, datë 22 shtator 2003, "Për të drejtën e bashkimit familjar" (Gazeta Zyrtare L 251, 3.10.2003, f. 12).
- Rregullorja (KE) nr. 862/2007 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 11 korrik 2007, "Për statistikat e Komunitetit për migrimin dhe mbrojtjen ndërkombëtare dhe që shfuqizon Rregulloren e Këshillit (KEE) nr. 311/76 për përpilimin e statistikave për përpilimin e statistikave për punonjësit e huaj" (Gazeta Zyrtare L 199, 31.7.2007, f. 23).