-
Lexo Dokumentin
27.6.2014
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 189/93
RREGULLORE (BE) NR. 656/2014 E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATË 15 MAJ 2014, "PËR RREGULLAT E MBIKËQYRJES SË KUFIJVE TË JASHTËM DETARË NË KUADËR TË BASHKËPUNIMIT OPERACIONAL TË KOORDINUAR NGA AGJENCIA EVROPIANE PËR MENAXHIMIN E BASHKËPUNIMIT OPERACIONAL NË KUFIJTË E JASHTËM TË SHTETEVE ANËTARE TË BASHKIMIT EVROPIAN"
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti germën "d" të nenit 77, paragrafi 2 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit Evropian,
Pas komunikimit të projektaktit legjislativ në parlamentet kombëtare,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e zakonshme legjislative1,
Meqë:
- Qëllimi i politikës së BE-së në fushën e kufijve të jashtëm të tij është të garantojë monitorim efikas të kalimit të kufijve të jashtëm duke përfshirë mbikëqyrjen e kufirit, duke kontribuar ndërkohë në sigurimin e mbrojtjes dhe shpëtimin e jetëve. Qëllimi i mbikëqyrjes kufitare është të parandalojë kalimet e paautorizuara të kufirit, të luftojë krimin ndërkufitar, si dhe të ndalojë apo të marrë masa ndaj atyre personave që kanë kaluar kufirin në mënyrë të parregullt. Mbikëqyrja kufitare duhet të jetë efektive në parandalimin dhe pengimin e personave në shmangien e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar. Për këtë qëllim, mbikëqyrja kufitare nuk kufizohet vetëm në zbulimin e përpjekjeve për kalime kufitare të paautorizuara, por shtrihet në mënyrë të barabartë në hapa të tilla si interceptimi i mjeteve të lundrimit të dyshuara se po përpiqen të hyjnë në BE pa ju nënshtruar kontrolleve kufitare, si dhe masat që synojnë të adresojnë situata të tilla si kërkimi dhe shpëtimi që mund të lindin gjatë një operacioni të mbikëqyrjes kufitare në det dhe masat që synojnë përfundimin me sukses të një operacioni të tillë.
- Politikat e BE-së për menaxhimin e kufijve, azilin dhe emigracionin dhe zbatimi i tyre duhet të udhëhiqen nga parimi i solidaritetit dhe ndarjes së drejtë të përgjegjësisë ndërmjet shteteve anëtare, në përputhje me nenin 80 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE). Aty ku është e nevojshme, aktet e BE-së të miratuara në kuadër të këtyre politikave duhet të përmbajnë masat e duhura për të zbatuar këtë parim dhe për të promovuar ndarjen e barrës duke përfshirë nëpërmjet transferimit vullnetar të përfituesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
- Fusha e zbatimit e kësaj rregulloreje duhet të përfshijë vetëm operacionet e mbikëqyrjes kufitare të kryera nga shtetet anëtare në kufijtë e tyre të jashtëm detarë në kontekstin e bashkëpunimit operacional të koordinuar nga Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimi Evropian ('Agjencia') e themeluar me Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 2007/20042. Masat hetimore dhe ndëshkuese rregullohen nga e drejta penale kombëtare dhe instrumentet ekzistuese të ndihmës së ndërsjellë ligjore në fushën e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale në BE.
- Agjencia është përgjegjëse për koordinimin e bashkëpunimit operacional ndërmjet shteteve anëtare në fushën e menaxhimit të kufijve të jashtëm, përfshirë këtu edhe mbikëqyrjen e kufirit. Agjencia është gjithashtu përgjegjëse për të ndihmuar shtetet anëtare në rrethanat që kërkojnë ndihmë teknike në kufijtë e jashtëm, duke marrë parasysh faktin se disa situata mund të përfshijnë emergjenca humanitare dhe shpëtim në det. Për të forcuar më tej këtë bashkëpunim nevojiten rregulla specifike në lidhje me aktivitetet e mbikëqyrjes kufitare të kryera nga njësitë detare, tokësore dhe ajrore të një shteti anëtar në kufirin detar të shteteve të tjera anëtare ose në det të hapur, në kontekstin e bashkëpunimit operacional të koordinuar nga Agjencia.
- Bashkëpunimi me vendet e treta fqinje është vendimtar për të parandaluar kalimet e paautorizuara të kufirit, për të luftuar kriminalitetin ndërkufitar dhe për të shmangur humbjen e jetëve në det. Në përputhje me Rregulloren (KE) nr. 2007/2004 dhe për sa kohë që garantohet respektimi i plotë i të drejtave themelore të emigrantëve, Agjencia mund të bashkëpunojë me autoritetet kompetente të vendeve të treta, veçanërisht në lidhje me analizën e rrezikut dhe trajnimin dhe duhet të lehtësojë bashkëpunimin operacional midis shteteve anëtare dhe vendeve të treta. Kur bashkëpunimi me vendet e treta kryhet në territorin ose në hapësirën territoriale detare të këtyre vendeve, shtetet anëtare dhe Agjencia duhet të veprojnë në pajtim me normat dhe standardet të paktën ekuivalente me ato të përcaktuara me legjislacionin e BE-së.
- Sistemi Evropian për Mbikëqyrjen e Kufijve (Eurosur) i themeluar nga Rregullorja (BE) nr. 1052/2013 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit3 ka si synim të forcojë shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional midis shteteve anëtare dhe me Agjencinë. Kjo garanton që ndërgjegjësimi për situatën dhe aftësia reaguese e shteteve anëtare të përmirësohet dukshëm, edhe me mbështetjen e Agjencisë, me qëllim zbulimin, parandalimin dhe luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar dhe kontributin në garantimin e mbrojtjes dhe shpëtimit të jetës së emigrantëve në kufijtë e tyre të jashtëm. Kur koordinon operacionet e mbikëqyrjes kufitare, Agjencia duhet t’u japë shteteve anëtare informacione dhe analiza lidhur me ato operacione në përputhje me atë Rregullore.
- Kjo rregullore zëvendëson Vendimin e Këshillit 2010/252/BE4, i cili u anulua nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ("Gjykata") me vendimin e datës 5 shtator 2012 për rastin C-355/10. Në atë vendim, gjykata ruajti fuqitë juridike të Vendimit 2010/252/BE deri në hyrjen në fuqi të rregullave të reja. Për rrjedhojë, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, ai vendim nuk ka më fuqi juridike.
- Gjatë operacioneve të mbikëqyrjes kufitare në det, shtetet anëtare duhet të respektojnë detyrimet e tyre përkatëse sipas të drejtës ndërkombëtare, në veçanti Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, Konventën Ndërkombëtare për Sigurinë e Jetës në Det, Konventën Ndërkombëtare për Kërkimin dhe Shpëtimin në Det, Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe Protokollin i saj kundër Kontrabandimit të Emigrantëve nga Toka, Deti dhe Ajri, Konventën e Kombeve të Bashkuara në lidhje me Statusin e Refugjatëve, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Denigruese, Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare përkatëse.
- Kur bashkërendon operacionet e mbikëqyrjes kufitare në det, Agjencia duhet të përmbushë detyrat e saj në përputhje të plotë me legjislacioni përkatës të BE-së, duke përfshirë Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian ("Karta") dhe të drejtën ndërkombëtare përkatëse, veçanërisht atë të referuar në deklamimin 8.
- Në përputhje me Rregulloren (KE) nr. 562/2006 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit5 dhe parimet e përgjithshme të legjislacionit të BE-së, çdo masë e marrë gjatë një operacioni mbikëqyrës duhet të jetë në proporcion me objektivat e ndjekura, jo-diskriminuese dhe duhet të respektojë plotësisht dinjitetin njerëzor, të drejtat themelore dhe të drejtat e refugjatëve dhe azilkërkuesve, duke përfshirë parimin e moskthimit. Shtetet anëtare dhe Agjencia janë të detyruara nga dispozitat e tërësisë së legjislacionit, të azilit, dhe në veçanti të Direktivës 2013/32/BE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit6 në lidhje me kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare të bëra në territorin, përfshirë kufirin, në ujërat territoriale ose në zonat transitore të shteteve anëtare.
- Zbatimi i kësaj Rregulloreje nuk duhet të cenojë Direktivën 2011/36/BE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit7, veçanërisht në lidhje me ndihmën që duhet t'u jepet viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.
- Kjo rregullore duhet të zbatohet në përputhje të plotë me parimin e moskthimit siç është përcaktuar në Kartë dhe interpretuar nga praktika gjyqësore e Gjykatës dhe e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në përputhje me këtë parim, asnjë person nuk duhet të zbritet, të detyrohet të hyjë, të çohet ose t’i dorëzohet autoriteteve të një vendi ku, ndër të tjera, ekziston një rrezik serioz që ai t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës, persekutimit apo trajtimit ose dënimeve të tjera çnjerëzore ose denigruese, ose ku jeta ose liria e tij do të kërcënohej për shkak të racës, fesë, kombësisë, orientimit seksual, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror apo mendimit politik ose nga e cila ekziston një rrezik serioz për një dëbim, heqje ose ekstradim në një vend tjetër në kundërshtim me parimin e moskthimit.
- Ekzistenca e mundshme e një marrëveshjeje midis një shteti anëtar dhe një vendi të tretë nuk i çliron shtetet anëtare nga detyrimet e tyre në bazë të legjislacionit të BE-së dhe të asaj ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me respektimin e parimit të moskthimit, sa herë që ata janë të vetëdijshëm ose duhet të jenë në dijeni që mangësitë sistematike në procedurën e azilit dhe në kushtet e pranimit të azilkërkuesve në atë vend të tretë, përbëjnë shkaqe thelbësore për të besuar se azilkërkuesi do të përballet me një rrezik serioz të trajtimit çnjerëzor ose denigrues ose kur ata janë të vetëdijshëm ose duhet të jenë të vetëdijshëm, se ai vend i tretë angazhohet në praktika në kundërshtim me parimin e moskthimit.
- Gjatë një operacioni të mbikëqyrjes kufitare në det, mund të ndodhë një situatë kur do të jetë e nevojshme dhënia e ndihmës personave të gjetur në vështirësi. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, çdo shtet duhet t’i kërkojë kapitenit të një anijeje që valëvit flamurin e saj, për aq sa ai mund ta bëjë këtë pa rrezik serioz për anijen, ekuipazhin ose udhëtarët, që të japë ndihmë pa vonesë për çdo person që gjendet në det nën rrezikun e humbjes dhe të vazhdojë me gjithë shpejtësinë e mundshme që të shpëtojë personat në vështirësi. Një ndihmë e tillë duhet të ofrohet pa marrë parasysh shtetësinë ose statusin e personave që duhet të ndihmohen ose rrethanat në të cilat ata janë gjetur. Drejtuesi i anijes dhe ekuipazhi nuk duhet të përballen me ndëshkime penale për shkak të shpëtimit të personave në vështirësi në det dhe çuarjen e tyre në një vend të sigurt.
- Detyrimi për t’i dhënë ndihmë personave në vështirësi duhet të përmbushet nga shtetet anëtare në përputhje me dispozitat e zbatueshme të instrumenteve ndërkombëtare që rregullojnë situatat e kërkimit dhe shpëtimit dhe në përputhje me kërkesat në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore. Kjo rregullore nuk duhet të ndikojë në përgjegjësitë e autoriteteve të kërkim-shpëtimit, duke përfshirë garantimin nga ana e tyre që koordinimi dhe bashkëpunimi të kryhen në mënyrë të tillë që personat e shpëtuar të mund të dërgohen në një vend të sigurt.
- Kur zona operacionale e një operacioni detar përfshin rajonin e kërkimit dhe të shpëtimit të një vendi të tretë, duhet të kërkohet krijimi i kanaleve të komunikimit me autoritetet e kërkim-shpëtimit të atij vendi të tretë kur planifikohet një operacion detar, duke siguruar kështu që ato autoritete të mund t’u përgjigjen rasteve të kërkim-shpëtimit që zhvillohen në rajonin e tyre të kërkim-shpëtimit.
- Sipas Rregullores (KE) nr. 2007/2004, operacionet e mbikëqyrjes kufitare të koordinuara nga Agjencia kryhen në përputhje me planin operacional. Prandaj, për sa u përket operacioneve detare, plani operacional duhet të përfshijë informacione specifike për zbatimin e juridiksionit dhe legjislacionit përkatës në zonën gjeografike ku kryhet operacioni i përbashkët, projekti pilot ose ndërhyrja e shpejtë, duke përfshirë referencat ndaj legjislacionit të BE-së dhe të drejtës ndërkombëtare lidhur me interceptimin, shpëtimin në det dhe zbarkimin. Plani operacional duhet të krijohet në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje që rregullon interceptimin, shpëtimin në det dhe zbarkimin në kontekstin e operacioneve të mbikëqyrjes kufitare në det, të koordinuara nga Agjencia dhe duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të operacionit në fjalë. Plani operacional duhet të përfshijë procedurat që sigurojnë që personat me nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të miturit e pashoqëruar dhe personat e tjerë vulnerabël të identifikohen dhe t'u sigurohet ndihma e duhur, duke përfshirë aksesin në mbrojtjen ndërkombëtare.
- Praktika sipas Rregullores (KE) nr. 2007/2004 është që për secilin operacion detar të krijohet një strukturë koordinimi brenda shtetit anëtar pritës, i përbërë nga zyrtarë të shtetit anëtar pritës, zyrtarë të ftuar dhe përfaqësues të Agjencisë, përfshirë Zyrtarin Koordinues të Agjencisë. Kjo strukturë koordinimi, zakonisht e quajtur Qendra Ndërkombëtare e Koordinimit, duhet të përdoret si kanal për komunikim midis oficerëve të përfshirë në operacionin detar dhe autoriteteve përkatëse.
- Kjo rregullore respekton të drejtat themelore dhe respekton parimet e njohura nga nenet 2 dhe 6 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TBE) dhe nga Karta, në veçanti respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtës për jetë, ndalimin e torturës dhe të trajtimit çnjerëzor ose denigrues ose ndëshkimit, ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, të drejtën për liri dhe siguri, të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën për azil dhe mbrojtjen kundër largimit dhe dëbimit, parimet e moskthimit dhe mosdiskriminimin, të drejtën për një zgjidhje të efektshme dhe të drejtat e fëmijës. Kjo rregullore duhet të zbatohet nga shtetet anëtare dhe Agjencia në përputhje me këto të drejta dhe parime.
- Meqë qëllimi i kësaj rregulloreje, respektivisht miratimi i rregullave specifike për mbikëqyrjen e kufijve detarë nga rojet kufitare që veprojnë nën koordinimin e Agjencisë, nuk mund të arrihet plotësisht nga shtetet anëtare për shkak të dallimeve ndërmjet ligjeve dhe praktikave të tyre. por, për shkak të karakterit shumëkombësh të operacioneve, mund të arrihet më mirë në nivel BE-je, ky i fundit mund të miratojë masa, në përputhje me parimin e subsidiaritetit siç përcaktohet në nenin 5 TBE. Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, sipas përcaktimit në atë nen, kjo rregullore nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtij objektivi.
- Në përputhje me nenin 1 dhe 2 të Protokollit nr. 22 për qëndrimin e Danimarkës, bashkëlidhur si shtojcë TBE-së dhe TFBE-së, Danimarka nuk merr pjesë në miratimin e kësaj rregulloreje dhe nuk është e detyruar ta zbatojë atë apo të jetë objekt i zbatimit të saj. Duke qenë se kjo rregullore bazohet mbi tërësinë e legjislacionit të Shengenit, Danimarka, në përputhje me nenin 4 të këtij protokolli dhe brenda gjashtë muajve pasi Këshilli ka marrë vendimin për këtë rregullore, vendos nëse do ta implementojë atë në legjislacionin e saj të brendshëm.
- Për sa i përket Islandës dhe Norvegjisë, kjo rregullore përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit sipas kuptimit të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Islandës dhe Mbretërisë së Norvegjisë për asociimin e këtyre të fundit në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit8 të Shengenit, të cilat përfshihen në fushën e përmendur në nenin 1, germa "A" të Vendimit të Këshillit 1999/437/KE9.
- Për sa i përket Zvicrës, kjo rregullore përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit sipas kuptimit të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës Zvicerane për asociimin e Konfederatës Zvicerane në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit10 të Shengenit, të cilat përfshihen në fushën e përmendur në nenin 1, germa "A" të Vendimit 1999/437/KE, që lexohet i lidhur me nenin 3 të Vendimit të Këshillit 2008/146/KE11.
- Për sa i përket Lihtenshtejnit, kjo rregullore përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit sipas kuptimit të Protokollit ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian, Konfederatës Zvicerane dhe Principatës së Lihtenshtejnit për aderimin e Principatës së Lihtenshtejnit në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës Zvicerane për asociimin e Konfederatës Zvicerane në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit12 të Shengenit, të cilat përfshihen në fushën e përmendur në nenin 1, germa "A" të Vendimit 1999/437/KE, që lexohet i lidhur me nenin 3 të Vendimit të Këshillit 2011/350/BE13.
- Kjo rregullore përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit në të cilin Mbretëria e Bashkuar nuk merr pjesë, në përputhje me Vendimin e Këshillit 2000/365/KE14; ndaj Mbretëria e Bashkuar nuk merr pjesë në miratimin e saj dhe nuk është e detyruar ta zbatojë atë apo të jetë objekt i zbatimit të saj.
- Kjo rregullore përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit në të cilin Irlanda nuk merr pjesë, në përputhje me Vendimin e Këshillit 2002/192/KE15; ndaj Irlanda nuk merr pjesë në miratimin e saj dhe nuk është e detyruar ta zbatojë atë apo të jetë objekt i zbatimit të saj,
MIRATOJNË KËTË RREGULLORE:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Kjo rregullore zbatohet për operacionet e mbikëqyrjes kufitare të kryera nga shtetet anëtare në kufijtë e tyre të jashtëm detarë në kontekstin e bashkëpunimit operacional të koordinuar nga Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllimet e kësaj rregulloreje përdoren përkufizimet e mëposhtme:
- "Agjencia" është Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian e themeluar nga Rregullorja (KE) nr. 2007/2004;
- "operacion në det" është një operacion i përbashkët, projekt pilot ose ndërhyrje e shpejtë e kryer nga shtetet anëtare për mbikëqyrjen e kufijve të tyre të jashtëm detarë nën koordinimin e Agjencisë;
- "shtet anëtar pritës" është shteti anëtar në të cilin ndodh ose nga i cili nis një operacion detar;
- "shtet anëtar pjesëmarrës" është një shtet anëtar i cili merr pjesë në një operacion detar duke siguruar pajisje teknike, roje detare të zbarkuara si pjesë e skuadrave evropiane të rojeve kufitare apo staf tjetër i rëndësishëm, por që nuk është shtet anëtar pritës;
- "njësi pjesëmarrëse" është një njësi detare, tokësore apo ajrore nën përgjegjësinë e shtetit anëtar pritës ose një shteti anëtar që merr pjesë në një operacion detar;
- "Qendra e Koordinimit Ndërkombëtar" është struktura e koordinimit e themeluar në shtetin anëtar pritës për koordinimin e operacionit detar;
- "Qendra e Koordinimit Kombëtar" është qendra e koordinimit kombëtar e themeluar për qëllimet e Sistemit Evropian për Mbikëqyrjen e Kufijve (Eurosur) në përputhje me Rregulloren (BE) nr. 1052/2013;
- "plan operacional" 'është plani operacional i përmendur në nenin 3a dhe nenin 8e të Rregullores (KE) nr. 2007/2004;
- "mjet lundrimi" është çdo lloj mjeti ujor, përfshirë barkat, barkat e vogla, platformat lundruese, mjetet e lundrimit tip amfib dhe hidroplanët, që përdoren apo që mund të përdoren në det;
- "mjet lundrimi pa shtetësi" është një mjet lundrimi pa kombësi apo i asimiluar në një mjet lundrimi pa kombësi kur mjetit nuk i ka dhënë asnjë shtet të drejtën për të valëvitur flamurin e tij ose kur ai lundron nën flamurët e dy ose më shumë shteteve, duke i përdorur ata sipas nevojës;
- "Protokolli kundër kontrabandimit të emigrantëve" është Protokolli kundër kontrabandimit të emigrantëve në rrugë tokësore, detare dhe ajrore, që plotëson Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar e nënshkruar në Palermo, Itali në dhjetor 2000;
- "vend i sigurt" është një vend ku mendohen të marrin fund operacionet e shpëtimit dhe ku siguria e të mbijetuarve apo jeta e tyre nuk është e kërcënuar, ku nevojat e tyre bazë njerëzore mund të plotësohen dhe nga i cili mund të merren masa për transportin drejt destinacionit të radhës apo përfundimtar të të mbijetuarve, duke marrë parasysh mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore në përputhje me parimin e moskthimit;
- "Qendra e Koordinimit të Shpëtimit" është një njësi përgjegjëse për nxitjen e organizimit efikas të shërbimeve të kërkim-shpëtimit dhe për koordinimin e kryerjes së operacioneve të kërkimit-shpëtimit brenda një zone të kërkim-shpëtimit sipas përkufizimit në Konventën Ndërkombëtare për Kërkimin dhe Shpëtimin Detar;
- "zonë e afërt" është një zonë e afërt me hapësirën territoriale detare sipas përkufizimit në nenin 33 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, në rastet kur është shpallur formalisht;
- "shtet anëtar bregdetar" është një shtet anëtar në hapësirën territoriale detare apo zonën e afërt të të cilit ndodh një interceptim.
KREU II
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 3
Siguria në det
Masat e marra për qëllimet e një operacioni detar duhet të sigurohen në mënyrë të tillë që në të gjitha rastet të garantohet siguria e personave të kapur ose të shpëtuar, siguria e njësive pjesëmarrëse ose e palëve të treta.
Neni 4
Mbrojtja e të drejtave themelore dhe parimi i moskthimit
- Asnjë person nuk duhet të zbritet, të detyrohet të hyjë, të drejtohet ose t’i dorëzohet, në kundërshtim me parimin e moskthimit, autoriteteve të një vendi kur, ndër të tjera, ekziston një rrezik serioz që ai t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës, persekutimit apo trajtimit ose dënimeve të tjera çnjerëzore ose denigruese, ose kur jeta ose liria e tij do të kërcënohej për shkak të racës, fesë, kombësisë, orientimit seksual, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror apo mendimit politik ose nga i cili ekziston një rrezik serioz për një dëbim, largime ose ekstradim drejt një vendi tjetër në kundërshtim me parimin e moskthimit.
- Kur shqyrtohet mundësia e zbarkimit në një vend të tretë, në kontekstin e planifikimit të një operacioni detar, shteti anëtar pritës, në koordinim me shtetet anëtare pjesëmarrëse dhe Agjencinë, merr parasysh gjendjen e përgjithshme në atë vend të tretë.
Vlerësimi i situatës së përgjithshme në një vend të tretë bazohet në informacionin e nxjerrë nga një gamë e gjerë burimesh, të cilat mund të përfshijnë shtetet e tjera anëtare, organet, zyrat dhe agjencitë e BE-së dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe mund të marrë parasysh ekzistencën e marrëveshjeve dhe projekteve për migracionin dhe azilin, që janë lidhur në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe nëpërmjet fondeve të saj. Ky vlerësim është pjesë e planit operacional, u vihet në dispozicion njësive pjesëmarrëse dhe përditësohet sipas nevojës.
Personat e kapur ose të shpëtuar nuk duhet të zbriten, të detyrohen të hyjnë, t’u dërgohen ose t’u dorëzohen autoriteteve të një shteti të tretë kur shteti anëtar pritës ose shtetet anëtare pjesëmarrëse janë të vetëdijshëm ose duhet të jenë të vetëdijshëm se ai vend i tretë angazhohet në praktikat që përshkruhen në paragrafin 1.
- Gjatë një operacioni detar, përpara se personat e kapur ose të shpëtuar të zbarkohen, të detyrohen të hyjnë, t’u dërgohen ose t’u dorëzohen autoriteteve të një vendi të tretë dhe duke marrë parasysh vlerësimin e situatës së përgjithshme në atë vend të tretë, në përputhje me paragrafin 2, njësitë pjesëmarrëse, pa cenuar nenin 3, përdorin të gjitha mjetet për të identifikuar personat e kapur ose të shpëtuar, për të vlerësuar rrethanat e tyre personale, për t’i njoftuar ata për destinacionin e tyre në atë mënyrë që ata persona të kuptojnë ose mendohet me arsye se kuptojnë dhe për t'u dhënë atyre një mundësi për të shprehur ndonjë arsye për të besuar se zbarkimi në vendin e propozuar do të ishte në kundërshtim me parimin e moskthimit.
Për këto qëllime, në planin operacional jepen detaje të mëtejshme duke përfshirë, sipas rastit, disponueshmërinë e personelit mjekësor, të përkthyesve, këshilltarëve ligjorë dhe ekspertëve të tjerë përkatës të shtetit anëtar pritës dhe pjesëmarrës. Çdo njësi pjesëmarrëse duhet të përfshijë të paktën një person që ka trajnim bazë për ndihmën e shpejtë.
Raporti i përmendur në nenin 13, në bazë të informacionit që sigurohet nga shtetet anëtare pritëse dhe pjesëmarrëse, përfshin detaje të mëtejshme mbi rastet e zbarkimit në vendet e treta dhe se si çdo element i procedurave të përcaktuara në nënparagrafin e parë të këtij paragrafi u zbatua nga njësitë pjesëmarrëse për të siguruar përputhjen me parimin e moskthimit.
- Nëpërmjet një operacioni detar, njësitë pjesëmarrëse u përgjigjen nevojave të veçanta të fëmijëve, përfshirë të miturit e pashoqëruar, viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, personave që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore, personave me aftësi të kufizuar, personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe personave të tjerë në një situatë veçanërisht vulnerabël.
- Çdo shkëmbim me vendet e treta i të dhënave personale të marra gjatë një operacioni në det për qëllimet e kësaj rregulloreje përfshin vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme dhe kryhet në përputhje me Direktivën 95/46/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit16, Vendimit Kuadër të Këshillit 2008/977/ÇBD17 dhe dispozitat përkatëse kombëtare për mbrojtjen e të dhënave.
Shkëmbimi me vendet e treta i të dhënave personale lidhur me personat e kapur ose të shpëtuar, të marra gjatë një operacioni detar, ndalohet kur ekziston një rrezik serioz për mosrespektimin e parimit të moskthimit.
- Njësitë pjesëmarrëse, në përmbushje të detyrave të tyre, respektojnë plotësisht dinjitetin njerëzor.
- Ky nen zbatohet për të gjithë masat e marra nga shtetet anëtare ose Agjencia në përputhje me këtë rregullore.
- Rojet kufitare dhe stafi tjetër që merr pjesë në një operacion detar, duhet të trajnohen në lidhje me dispozitat përkatëse të të drejtave themelore, të drejtës së refugjatëve dhe të regjimit ligjor ndërkombëtar për kërkim-shpëtimin, në përputhje me paragrafin e dytë të nenit 5 të Rregullores (KE) nr. 2007/2004.
KREU III
RREGULLA SPECIFIKE
Neni 5
Zbulimi
- Pas zbulimit, njësitë pjesëmarrëse i afrohen mjetit të lundrimit të dyshuar për transportimin e personave që i shmanget apo synon t’i shmanget verifikimeve në pikat e kalimit kufitar ose të dyshuar për kontrabandimin e emigrantëve nga deti, në mënyrë që të vëzhgojnë identitetin dhe shtetësinë e tij dhe, në pritje të masave të mëtejshme, ta mbikëqyrin atë mjet lundrues në një distancë të kujdesshme duke marrë të gjitha masat e duhura paraprake. Njësitë pjesëmarrëse mbledhin dhe raportojnë menjëherë informacionin në lidhje me atë mjet lundrimi në Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar, duke përfshirë, sipas mundësisë, informacionin për gjendjen e personave në bord, veçanërisht nëse ekziston një rrezik i qenësishëm për jetën e tyre ose nëse ka persona që kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore. Qendra e Koordinimit Ndërkombëtar ia përcjell këtë informacion Qendrës së Koordinimit Kombëtar të shtetit anëtar pritës.
- Kur një mjet lundrimi është gati për të hyrë ose ka hyrë në hapësirën territoriale detare ose zonën e afërt të një shteti anëtar që nuk është pjesëmarrës në operacionin detar, njësitë pjesëmarrëse mbledhin dhe raportojnë informacionin në lidhje me atë mjet lundrimi në Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar, e cila ia përcjell atë informacion Qendrës së Koordinimit Kombëtar të shtetit anëtar në fjalë.
- Njësitë pjesëmarrëse mbledhin dhe i raportojnë informacion për çdo mjet lundrimi që dyshohet se merr pjesë në aktivitete të paligjshme në det, të cilat janë jashtë fushëveprimit të operacionit detar, Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar, e cila ia përcjell Qendrës së Koordinimit Kombëtar të shtetit anëtar në fjalë.
Neni 6
Interceptimi në hapësirën territoriale detare
- Në hapësirën territoriale detare të shtetit anëtar pritës ose të shtetit anëtar pjesëmarrës fqinj, ai shtet autorizon njësitë pjesëmarrëse të marrin një ose më shumë nga masat e mëposhtme, kur ekzistojnë arsye të shëndosha për të dyshuar se një mjet lundrimi mund të bartë persona që synojnë të anashkalojnë verifikimet në pikat e kalimit kufitar ose është i angazhuar në kontrabandimin e emigrantëve nga deti:
- a) të kërkojnë informacion dhe dokumentacion mbi pronësinë, regjistrimin dhe elementet që lidhen me udhëtimin e mjetit të lundrimit, si dhe identitetin, shtetësinë dhe të dhëna të tjera të rëndësishme për personat në bord, duke përfshirë persona që kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore dhe t'i venë në dijeni personat në bord se ata nuk mund të autorizohen të kalojnë kufirin;
- b) të ndalojnë, të hipin dhe të kontrollojnë mjetin e lundrimit, ngarkesën e tij dhe personat në bord, dhe të marrin në pyetje personat në bord dhe t’i informojnë ata se personat që drejtojnë anijen mund të përballen me ndëshkime për lehtësimin e udhëtimit të këtyre personave.
- Nëse gjenden prova që vërtetojnë dyshimin, shteti pritës ose shteti anëtar pjesëmarrës fqinj, mund të autorizojë njësitë pjesëmarrëse të marrin një ose më shumë nga masat e mëposhtme:
- a) ndalimin e mjetit të lundrimit dhe marrjen e masave ndaj personave në bord;
- b) urdhërimin e anijes për të ndryshuar kursin e saj jashtë ose drejt një destinacioni tjetër nga hapësira territoriale detare ose zona e afërt, duke përfshirë shoqërimin e anijes ose çlirimin e avujve aty pranë derisa të konfirmohet që anija po mban kursin e përcaktuar;
- c) drejtimin e mjetit të lundrimit ose personave në bord në shtetin anëtar bregdetar në përputhje me planin operacional.
- Çdo masë e marrë në përputhje me paragrafin 1 ose 2 duhet të jetë proporcionale dhe nuk duhet të tejkalojë atë që është e nevojshme për të arritur objektivat e këtij neni.
- Për qëllimet e paragrafëve 1 dhe 2, shteti anëtar pritës udhëzon njësinë pjesëmarrëse në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar.
Njësia pjesëmarrëse informon shtetin anëtar pritës nëpërmjet Qendrës të Koordinimit Ndërkombëtar, sa herë që kapiteni i mjetit të lundrimit kërkon që të njoftohet një agjent diplomatik ose një zyrtar konsullor i shtetit të flamurit.
- Kur ekzistojnë arsye të forta për të dyshuar se një mjet lundrimi pa shtetësi bart persona që synojnë të anashkalojnë verifikimet në pikat e kalimit kufitar ose është i angazhuar në kontrabandimin e emigrantëve në rrugë detare, shteti anëtar pritës ose shteti anëtar pjesëmarrës fqinj në hapësirën territoriale detare të të cilit interceptohet një mjet lundrimi pa shtetësi, autorizon një ose më shumë nga masat e caktuara në paragrafin 1 dhe mund të autorizojë një ose më shumë nga masat e caktuara në paragrafin 2. Shteti anëtar pritës udhëzon njësinë pjesëmarrëse në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar.
- Çdo aktivitet operacional në hapësirën territoriale detare të një shteti anëtar që nuk merr pjesë në operacionin detar kryhet në përputhje me autorizimin e atij shteti anëtar. Shteti anëtar pritës udhëzon njësinë pjesëmarrëse nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar sipas masave të autorizuara nga ai shtet anëtar.
Neni 7
Interceptimi në det të hapur
- Në det të hapur, ku ekzistojnë arsye të forta për të dyshuar se një mjet lundrimi është angazhuar në kontrabandimin e emigrantëve në rrugë detare, njësitë pjesëmarrëse marrin një ose më shumë nga masat e mëposhtme, nën autorizimin e shtetit të flamurit, në përputhje me Protokollin kundër kontrabandimit të emigrantëve dhe, sipas rastit, me legjislacionin e brendshëm dhe të drejtën ndërkombëtare:
- a) të kërkojnë informacion dhe dokumentacion për pronësinë, regjistrimin dhe elementet që lidhen me udhëtimin e mjetit të lundrimit, si dhe identitetin, shtetësinë dhe të dhëna të tjera të rëndësishme për personat në bord, duke përfshirë persona që kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore;
- b) të ndalojnë, të hipin dhe të kontrollojnë mjetin e lundrimit, ngarkesën e tij dhe personat në bord, dhe të marrin në pyetje personat në bord dhe t’i informojnë ata se personat që drejtojnë anijen mund të përballen me ndëshkime për lehtësimin e udhëtimit të këtyre personave.
- Nëse gjenden prova që vërtetojnë dyshimin, njësitë pjesëmarrëse marrin një ose më shumë nga masat e mëposhtme, nën autorizimin e shtetit të flamurit, në përputhje me Protokollin kundër kontrabandimit të emigrantëve dhe, sipas rastit, me legjislacionin e brendshëm dhe të drejtën ndërkombëtare:
- a) ndalimin e mjetit të lundrimit dhe marrjen e masave ndaj personave në bord;
- b) paralajmërimin dhe urdhërimin e mjetit të lundrimit për të mos hyrë në hapësirën territoriale detare ose zonën e afërt dhe, kur është e nevojshme, t’i kërkojnë mjetit të ndryshojë kursin e tij drejt një destinacioni të ndryshëm nga hapësira territoriale detare ose zona e afërt;
- c) drejtimin e mjetit të lundrimit ose të personave në bord, drejt një vendi të tretë ose dorëzimin e anijes ose personave në bord, tek autoritetet e një vendi të tretë;
- d) drejtimin e mjetit të lundrimit ose personave në bord drejt shtetit anëtar pritës ose një shteti anëtar pjesëmarrës fqinj.
- Çdo masë e marrë në përputhje me paragrafin 1 ose 2 duhet të jetë proporcionale dhe nuk duhet të tejkalojë atë që është e nevojshme për të arritur objektivat e këtij neni.
- Për qëllimet e paragrafëve 1 dhe 2, shteti anëtar pritës udhëzon njësinë pjesëmarrëse në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar.
- Kur mjeti i lundrimit valëvit flamurin ose shfaq shenjat e regjistrit të shtetit anëtar pritës ose të një shteti anëtar pjesëmarrës, ai shtet anëtar, pas konfirmimit të shtetësisë së anijes, mund të autorizojë një ose më shumë masa të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2. Shteti anëtar pritës udhëzon më pas njësinë pjesëmarrëse në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar.
- Kur mjeti i lundrimit valëvit flamurin ose tregon shenjat e regjistrit të një shteti anëtar që nuk është pjesëmarrës në operacionin detar ose të një vendi të tretë, shteti anëtar pritës ose një shtet anëtar pjesëmarrës, në varësi të njësisë pjesëmarrëse e cila ka kapur atë mjet lundrimi, njofton shtetin e flamurit, kërkon konfirmimin e regjistrit dhe, nëse konfirmohet shtetësia, kërkon që shteti i flamurit të ndërmarrë veprime për të ndaluar përdorimin e mjetit të saj të lundrimit për kontrabandimin e emigrantëve. Nëse shteti i flamurit nuk është i gatshëm ose nuk është në gjendje ta bëjë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me ndihmën e shtetit anëtar të cilit i përket njësia pjesëmarrëse, ai shtet anëtar kërkon autorizimin nga shteti i flamurit për të marrë ndonjë nga masat e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2. Shteti anëtar pritës ose shteti anëtar pjesëmarrës informon Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar për çdo komunikim me shtetin e flamurit dhe për veprimet ose masat e synuara të autorizuara nga shteti i flamurit. Shteti anëtar pritës udhëzon më pas njësinë pjesëmarrëse në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar.
- Aty ku, megjithëse valëvit një flamur të huaj ose refuzon të tregojë flamurin e tij, ekzistojnë arsye të forta për të dyshuar që mjeti i lundrimit është, në të vërtetë, me të njëjtën shtetësi si njësia pjesëmarrëse, ajo njësi pjesëmarrëse verifikon të drejtën e mjetit të lundrimit për të valëvitur flamurin e saj. Për këtë qëllim, ajo mund t’i afrohet mjetit të dyshuar të lundrimit. Nëse dyshimi nuk bie, ajo vazhdon me një kontroll të mëtejshëm në bordin e anijes, i cili kryhet me të gjithë kujdesin e mundshëm.
- Kur, ndonëse valëvit një flamur të huaj ose refuzon të tregojë flamurin e tij, ekzistojnë arsye të forta për të dyshuar se mjeti lundrues në të vërtetë është i shtetësisë së shtetit anëtar pritës ose të një shteti anëtar pjesëmarrës, njësia pjesëmarrëse verifikon të drejtën e mjetit për të valëvitur flamurin e tij.
- Kur në rastet e përmendura në paragrafin 7 ose 8, dyshimet në lidhje me shtetësinë e mjetit të lundrimit vërtetohen, shteti anëtar pritës ose shteti anëtar pjesëmarrës mund të autorizojë një ose më shumë masa të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2. Shteti anëtar pritës udhëzon më pas njësinë pjesëmarrëse në mënyrë të përshtatshme nëpërmjet Qendrës së Koordinimit Ndërkombëtar.
- Në pritje ose në mungesë të autorizimit të shtetit të flamurit, mjeti i lundrimit vëzhgohet nga një distancë e kujdesshme. Nuk merret asnjë masë tjetër pa autorizimin e shprehur të shtetit të flamurit, përveç atyre që janë të nevojshme për të lehtësuar rrezikun e qenësishëm të jetës së personave ose të atyre masave që rrjedhin nga marrëveshjet përkatëse dypalëshe ose shumëpalëshe.
- Kur ka arsye të forta për të dyshuar se një mjet lundrimi pa shtetësi është i angazhuar në kontrabandimin e emigrantëve në rrugë detare, njësia pjesëmarrëse mund të hipë dhe të hetojë anijen me qëllim verifikimin e pashtetësisë së saj. Nëse gjenden prova që vërtetojnë dyshimin, njësia pjesëmarrëse duhet të informojë shtetin anëtar pritës, i cili mund të marrë, drejtpërdrejt ose me ndihmën e shtetit anëtar të cilit i përket njësia pjesëmarrëse, masat e duhura siç përcaktohen në paragrafët 1 dhe 2 në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe të drejtën ndërkombëtare.
- Një shtet anëtar, njësia e pjesëmarrjes e të cilit ka marrë masa në përputhje me paragrafin 1, informon menjëherë shtetin e flamurit mbi rezultatin e asaj mase.
- Zyrtari kombëtar që përfaqëson shtetin anëtar pritës ose një shtet anëtar pjesëmarrës në Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar, është përgjegjës për lehtësimin e komunikimit me autoritetet përkatëse të atij shteti anëtar kur kërkohet autorizimi për të verifikuar të drejtën e një mjeti lundrimi për të valëvitur flamurin e tij ose për të marrë ndonjë prej masave të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2.
- Kur dyshimet se një mjet lundrues është i angazhuar në kontrabandimin e emigrantëve në det të hapur, vërtetohen si të pabaza ose kur njësia pjesëmarrëse nuk ka juridiksion për të vepruar, por mbetet një dyshim i arsyeshëm se mjet lundrimi mban persona që synojnë të arrijnë kufirin e një shteti anëtar dhe të anashkalojë kontrollet në pikat e kalimit kufitar, ai mjet lundrimi mbetet në monitorim. Qendra e Koordinimit Ndërkombëtar ia përcjell informacionin në lidhje me atë mjet lundrimi Qendrës së Koordinimit Kombëtar të shteteve anëtare drejt të cilëve ai është drejtuar.
Neni 8
Interceptimi në zonën e afërt
- Në zonën e afërt të shtetit anëtar pritës ose të shtetit anëtar pjesëmarrës fqinj, masat e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të nenit 6 merren në përputhje me ato paragrafë dhe me paragrafët 3 dhe 4 të tij. Çdo autorizim i përmendur në nenin 6, paragrafët 1 dhe 2, mund të jepet vetëm për masat që janë të nevojshme për të parandaluar shkeljen e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse brenda territorit të atij shteti anëtar ose hapësirës territoriale detare.
- Masat e përcaktuara në nenin 6, paragrafët 1 dhe 2 nuk merren në zonën e afërt të shtetit anëtar që nuk merr pjesë në operacionin detar pa autorizimin e atij shteti anëtar. Qendra e Koordinimit Ndërkombëtar informohet për çdo komunikim me atë shtet anëtar dhe për veprimet e radhës të autorizuara nga ai shtet anëtar. Nëse ky shtet anëtar nuk jep autorizimin e tij dhe kur ekzistojnë arsye të forta për të dyshuar se mjeti i lundrimit transporton persona që synojnë të arrijnë kufirin e një shteti anëtar, zbatohet neni 7, paragrafi 14.
- Kur një mjet lundrimi pa shtetësi kalon zonën e afërt, zbatohet neni 7, paragrafi 11.
Neni 9
Situatat e kërkimit dhe shpëtimit
- Shtetet anëtare respektojnë detyrimin e tyre për t’i dhënë ndihmë çdo mjeti lundrimi ose personi në vështirësi në det dhe gjatë një operacioni në det, sigurojnë që njësitë e tyre pjesëmarrëse të veprojnë në pajtim me këtë detyrim, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat themelore. Ata duhet ta bëjnë këtë pa marrë parasysh shtetësinë ose statusin e një personi të tillë ose rrethanat në të cilat ai person gjendet.
- Për qëllimin e trajtimit të situatave të kërkim-shpëtimit që mund të ndodhin gjatë një operacioni në det, plani operacional duhet të përmbajë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare përkatëse, duke përfshirë atë për kërkim-shpëtimin, të paktën dispozitat e mëposhtme:
- a) Kur, gjatë një operacioni në det, njësitë pjesëmarrëse kanë arsye të besojnë se po përballen me një fazë pasigurie, alarmi ose shqetësimi në lidhje me një mjet lundrimi ose çdo person në bord, ata menjëherë transmetojnë të gjitha informacionet e disponueshme në Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar përgjegjëse për rajonin e kërkimit dhe shpëtimit në të cilin ndodh situata dhe ata vendosen në dispozicion të asaj Qendre të Koordinimit të Shpëtimit.
- b) Njësitë pjesëmarrëse duhet të informojnë Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar sa më shpejt që të jetë e mundur për çdo kontakt me Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit dhe për veprimet e ndërmarra prej tyre.
- c) Një mjet lundrimi ose personat në bord konsiderohen të jenë në një fazë pasigurie në veçanti:
- kur një person është raportuar si i zhdukur ose një mjet lundrimi është me vonesë; ose
- kur një person ose një mjet lundrimi nuk ka arritur të bëjë një raport të parashikuar për vendndodhjen ose sigurinë e tij.
- d) Një mjet lundrimi ose personat në bord konsiderohen të jenë në një fazë alarmi në veçanti:
- kur, pas një faze pasigurie, përpjekjet për të krijuar kontakt me një person ose një mjet lundrimi kanë dështuar dhe pyetjet drejtuar burimeve të tjera të përshtatshme kanë qenë të pasuksesshme; ose
- kur është marrë informacioni që tregon se efikasiteti operativ i një mjeti lundrimi është i dëmtuar, por jo deri në atë masë sa ka mundësi për një situatë shqetësuese.
- e) Një mjet lundrimi ose personat në bord konsiderohen të jenë në një fazë vështirësie në veçanti:
- kur merret informacion pozitiv që një person ose një mjet lundrimi është në rrezik dhe ka nevojë për ndihmë të menjëhershme; ose
- kur, pas një faze alarmi, përpjekjeje të mëtejshme të pasuksesshme për të vendosur kontakt me një person ose një mjet lundrimi dhe pyetje më të gjera të pasuksesshme tregojnë mundësinë e ekzistencës së një situate të rrezikshme; ose
III. kur merret informacioni që tregon se efikasiteti operativ i një mjeti lundrimi është i dëmtuar deri në atë masë sa ka mundësi për një situatë shqetësuese.
- f) Njësitë pjesëmarrëse, me qëllim të shqyrtimit nëse mjeti lundrues është në një fazë pasigurie, alarmi ose shqetësimi, duhet të marrin parasysh dhe të transmetojnë të gjitha informacionet dhe vëzhgimet e rëndësishme në Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit përgjegjëse duke përfshirë:
- ekzistencën e një kërkese për ndihmë, ndonëse një kërkesë e tillë nuk do të jetë faktori i vetëm për të përcaktuar nëse ekziston një situatë shqetësuese;
- aftësinë e mjetit të lundrimit për të lundruar dhe mundësinë që ai të mos arrijë destinacionin e tij përfundimtar;
III. numrin e personave në bord në raport me llojin dhe gjendjen e mjetit të lundrimit;
- disponueshmërinë e furnizimeve të nevojshme si karburanti, uji dhe ushqimi për të arritur në breg;
- praninë e një ekuipazhi dhe komande të kualifikuar në mjetin e lundrimit;
- disponueshmërinë dhe kapacitetin e pajisjeve të sigurisë, lundrimit dhe komunikimit;
VII. praninë e personave në bord që kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore;
VIII. praninë e personave të vdekur në bord;
- praninë e grave shtatzëna apo fëmijëve në bord;
- kushtet e motit dhe të detit, përfshirë parashikimet e motit dhe ato për dallgët dhe rrymat detare.
- g) Ndërkohë që presin udhëzime nga Qendra e Koordinimit të Shpëtimit, njësitë pjesëmarrëse marrin të gjitha masat e duhura për të garantuar sigurinë e personave në fjalë.
- h) Kur një mjet lundrimi konsiderohet të jetë në një situatë pasigurie, alarmi ose shqetësimi, por personat në bord refuzojnë të pranojnë ndihmën, njësia pjesëmarrëse duhet të informojë Qendrën përgjegjëse të Koordinimit të Shpëtimit dhe të ndjekë udhëzimet e saj. Njësia pjesëmarrëse vazhdon të përmbushë detyrën e kujdesit duke vëzhguar anijen dhe duke marrë çdo masë të nevojshme për sigurinë e personave të interesuar, duke shmangur ndërmarrjen e ndonjë veprimi që mund të përkeqësojë situatën ose të rrisë mundësitë për lëndim ose humbje të jetës.
- Kur Qendra e Koordinimit të Shpëtimit e një vendi të tretë përgjegjës për kërkim-shpëtimin nuk i përgjigjet informacionit të transmetuar nga njësia pjesëmarrëse, kjo e fundit kontakton Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit të shtetit anëtar pritës, përveç se kur njësia pjesëmarrëse konsideron që një Qendër tjetër e Koordinimit të Shpëtimit me reputacion ndërkombëtar është më e aftë për të marrë përsipër koordinimin e situatës së kërkim-shpëtimit.
Plani operacional mund të përmbajë detaje të përshtatura për rrethanat e operacionit detar në fjalë.
- Kur përfundon situata e kërkim-shpëtimit, njësia pjesëmarrëse, në konsultim me Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar, rinis operacionin detar.
Neni 10
Zbarkimi
- Plani operacional përmban, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat themelore, të paktën modalitetet e mëposhtme për zbarkimin e personave të interceptuar ose të shpëtuar në një operacion detar:
- a) në rast interceptimi në detin territorial apo zonën e afërt siç parashikohet në nenin 6, paragrafët 1,2 ose 6 ose në nenin 8, paragrafët 1 ose 2, zbarkimi ndodh në shtetin anëtar bregdetar, pa cenuar germën "b" të nenit 6, paragrafi;
- b) në rast interceptimi në det të hapur siç parashikohet në nenin 7, zbarkimi mund të ndodhë në një vend të tretë nga i cili supozohet të jetë nisur mjeti i lundrimit. Nëse kjo nuk është e mundur, zbarkimi ndodh në shtetin anëtar pritës;
- c) në rastin e situatave të kërkim-shpëtimit siç parashikohet në nenin 9 dhe pa cenuar përgjegjësinë e Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit, shteti anëtar pritës dhe shtetet anëtare pjesëmarrëse bashkëpunojnë me Qendrën përgjegjëse të Koordinimit të Shpëtimit për të identifikuar një vend të sigurt dhe, kur Qendra përgjegjëse e Koordinimit të Shpëtimit cakton një vend të tillë, ata sigurojnë që zbarkimi i personave të shpëtuar kryhet me shpejtësi dhe efektivitet.
Nëse nuk është e mundur të rregullohet që njësia pjesëmarrëse të lirohet nga përgjegjësia e saj e përmendur në nenin 9, paragrafi 1 sapo të jetë praktikisht e arsyeshme, duke pasur parasysh sigurinë e personave të shpëtuar dhe atë të vetë njësisë pjesëmarrëse, ajo autorizohet t'i zbarkojë personat e shpëtuar në shtetin anëtar pritës.
Këto modalitete për zbarkimin nuk kanë fuqinë për të vendosur detyrime mbi shtetet anëtare që nuk marrin pjesë në operacionin detar, përveç kur ato garantojnë autorizim për masat që do të merren në hapësirën e tyre territoriale detare apo zonën e afërt në përputhje me nenin 6, paragrafi 6 ose nenin 8, paragrafi 2.
Plani operacional mund të përmbajë detaje të përshtatura sipas rrethanave të operacionit detar në fjalë.
- Njësitë pjesëmarrëse duhet të informojnë Qendrën e Koordinimit Ndërkombëtar për praninë e çdo personi në kuptim të nenit 4 dhe Qendra e Koordinimit Ndërkombëtar e përcjell atë informacion tek autoritetet kombëtare kompetente të vendit ku bëhet zbarkimi.
Plani operacional duhet të përmbajë detajet e kontaktit të atyre autoriteteve kombëtare kompetente, të cilat marrin masat e duhura në vijim.
Neni 11
Ndryshimi i Rregullores (KE) nr. 2007/2004
Në nenin 3a, paragrafi 1 dhe 8e, paragrafi 1 të Rregullores (KE) nr. 2007/2004, në fund të germës "j", shtohet fjalia e mëposhtme:
"Në këtë drejtim plani operacional vendoset në përputhje me Rregulloren (BE) nr. 656/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit18.
Neni 12
Mekanizmat e solidaritetit
- Një shtet anëtar që përballet me një situatë presioni urgjent dhe të jashtëzakonshëm në kufirin e tij të jashtëm mund të kërkojë:
- a) dislokimin e Skuadrave Evropiane të Rojeve Kufitare në përputhje me nenin 8a të Rregullores (KE) nr. 2007/2004 për të siguruar ndihmë operacionale të shpejtë për atë shtet anëtar;
- b) që agjencia për ndihmë teknike dhe operacionale në përputhje me nenin 8 të Rregullores (KE) nr. 2007/2004 t’i japë asistencë për çështje të koordinimit midis shteteve anëtare dhe/ose dislokimin e ekspertëve për të mbështetur autoritetet kompetente kombëtare;
- c) ndihmë emergjente sipas nenit 14 të Rregullores (BE) nr. 515/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit19 për t’iu përgjigjur nevojave urgjente dhe specifike në rastin e një situate emergjence.
- Një shtet anëtar që ndodhet nën një presion të fortë emigrimi, gjë e cila rrit shumë kërkesat urgjente në mjediset e tij të pranimit dhe sistemet e azilit duhet të jetë në gjendje të kërkojë:
- a) që Zyra Evropiane për Mbështetjen e Azilit të dislokojë një skuadër mbështetëse për azilin në përputhje me nenin 13 të Rregullores (BE) nr. 439/2010 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit20 për të siguruar ekspertizë, si për shembull, në lidhje me shërbimet e përkthimit, informacion për vendet e origjinës dhe njohuri për trajtimin dhe menaxhimin e rasteve të azilit;
- b) ndihmë emergjente sipas nenit 21 të Rregullores (BE) nr. 516/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit21 për të adresuar nevojat urgjente dhe specifike në rastin e një situate emergjence.
Neni 13
Raportimi
- Agjencia i dorëzon një raport Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit për zbatimin praktik të Rregullores deri më datë 18 korrik 2015 dhe çdo vit më pas.
- Raporti duhet të përfshijë një përshkrim të procedurave të vendosura nga Agjencia për të zbatuar këtë rregullore gjatë operacioneve detare dhe informacionin për zbatimin e kësaj rregulloreje në praktikë, duke përfshirë informacionin e detajuar për respektimin e të drejtave themelore dhe ndikimin në ato të drejta dhe incidentet që mund të kenë ndodhur.
KREU IV
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 14
Fuqitë Juridike të Vendimit 2010/252/BE
Vendimi 2010/252/BE nuk ka më fuqi juridike duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi njëzetë ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Kjo rregullore është detyruese në tërësinë e saj dhe drejtpërdrejt e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare, në përputhje me traktatet.
Nënshkruar në Bruksel, më 15 maj 2014.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
- SCHULZ
Për Këshillin
Presidenti
- KOURKOULAS
- 1. Qëndrimi i Parlamentit Evropian i 16 prillit 2014 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare) dhe Vendimi i Këshillit i 13 majit 2014.
- 2. Rregullorja e Këshillit (KE) nr. 2007/2004, datë 26 tetor 2004, "Për ngritjen e Agjencisë Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian" (Gazeta Zyrtare L 349, 25.11.2004, f. 1).
- 3. Rregullorja (BE) nr. 1052/2013 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 22 tetorit 2013 "Për themelimin e Sistemit Evropian për Mbikëqyrjen e Kufijve (Eurosur)" (Gazeta Zyrtare L 295, 6.11.2013, f. 11).
- 4. Vendimi i Këshillit 2010/252/BE i 26 prillit 2010 që plotëson Kodin për Kufijtë e Shengenit për sa i përket mbikëqyrjes së kufijve të jashtëm detarë në kuadër të bashkëpunimit operacional të koordinuar nga Agjencia Evropiane për menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (Gazeta Zyrtare L 111, 4.5.2010, f. 20).
- 5. Rregullorja (KE) nr. 562/2006 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 15 mars 2006, "Për vendosjen e një Kodi të Komunitetit për rregullat që rregullojnë lëvizjen e personave ndërmjet kufijve (Kodi për Kufijtë e Shengenit)" (Gazeta Zyrtare L 105, 13.4.2006, f. 1).
- 6. Direktiva 2013/32/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 26 qershorit 2013, "Për procedurat e përbashkëta për dhënien dhe heqjen e mbrojtjes ndërkombëtare" (Gazeta Zyrtare L 180, 29.6.2013, f. 60).
- 7. Direktiva 2011/36/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 5 prillit 2011 për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të tij, dhe që zëvendëson Vendimin Kuadër të Këshillit 2002/629/ÇBD (Gazeta Zyrtare L 101, 15.4.2011, f. 1).
- 8. Gazeta Zyrtare L 176, 10.7.1999, f. 36.
- 9. Direktiva e Këshillit 1999/437/KE, e 17 majit 1999, "Për marrëveshje të caktuara për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Islandës dhe Mbretërisë së Norvegjisë në lidhje me përfshirjen e këtyre dy shteteve në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit (Gazeta Zyrtare L 176, 10.7.1999, f. 31).
- 10. Gazeta Zyrtare L 53, 27.2.2008, f. 52.
- 11. Vendimi i Këshillit 2008/146/KE, i 28 janarit 2008 "Për nënshkrimin në emër të Komunitetit Evropian, të marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës Zvicerane në lidhje me përfshirjen e Konfederatës Zvicerane në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit (Gazeta Zyrtare L 53, 27.2.2008, f. 1).
- 12. Gazeta Zyrtare L 160, 18.6.2011, f. 21.
- 13. Vendimi i Këshillit 2011/350/BE, i 7 marsit 2011, "Për nënshkrimin, në emër të Bashkimit Evropian, të Protokollit ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian, Konfederatës së Zvicrës dhe Principatës së Lihtenshtejnit për aderimin e Principatës së Lihtenshtejnit në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës së Zvicrës për përfshirjen e kësaj të fundit në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit, të Shengenit, në lidhje me shfuqizimin e kontrolleve në kufijtë e brendshëm dhe lëvizjen e personave" (Gazeta Zyrtare L 160, 18.6.2011, f. 19).
- 14. Vendimi i Këshillit 2000/365/KE, i 29 majit 2000, "Për kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për të marrë pjesë në disa nga dispozitat e tërësisë së legjislacionit të Shengenit" (Gazeta Zyrtare L 131, 1.6.2000, f. 43).
- 15. Vendimi i Këshillit 2002/192/KE, i 28 shkurtit 2002, "Për kërkesën e Irlandës për të marrë pjesë në disa nga dispozitat e tërësisë së legjislacionit të Shengenit" (Gazeta Zyrtare L 64, 7.3.2002, f. 20).
- 16. Direktiva 95/46/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 24 tetorit 1995 për mbrojtjen e individëve lidhur me përpunimin e të dhënave personale dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave (Gazeta Zyrtare L 281, 23.11.1995, f. 31).
- 17. Vendimi Kuadër 2008/977/ÇBD, i 27 nëntorit 2008, "Për mbrojtjen e të dhënave personale të përpunuara në kuadër të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor në çështjet penale" (Gazeta Zyrtare L 350, 30.12.2008, f. 60).
- 19. Rregullorja (BE) nr 515/2014 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 16 prillit 2014, "Për krijimin, si pjesë e Fondit për Sigurinë e Brendshme, të instrumentit për mbështetjen financiare të kufijve të jashtëm dhe vizat dhe që shfuqizon Vendimin nr. 574/2007/KE" (Gazeta Zyrtare L 150, 20.5.2014, f. 143).
- 20. Rregullore (KE) nr. 439/2010 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 19 majit 2010, "Për ngritjen e një Zyre Evropiane për Mbështetjen e Azilit" (Gazeta Zyrtare L 132, 29.5.2010, f. 11).
- 21. Rregullorja (BE) nr. 516/2014 e parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 16 prillit 2014 "Për përcaktimin e Fondit për Azilin, Migracionin dhe Integrimin", që ndryshon Vendimin e Këshillit 2008/381/KE dhe shfuqizon Vendimet nr. 573/2007/KE dhe nr. 575/2007/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit dhe Vendimin e Këshillit 2007/435/KE (Gazeta Zyrtare L 150, 20.5.2014, f. 168).