-
Lexo Dokumentin
18.3.2015
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 74/31
VENDIMI ZBATUES I KOMISIONIT (BE) 2015/450, DATË 16 MARS 2015, "PËR PARASHTRIMIN E KËRKESAVE TESTUESE PËR SHTETET ANËTARE TË CILËT INTEGROHEN NË SISTEMIN E INFORMACIONIT SHENGEN TË GJENERATËS SË DYTË (SIS II) OSE NDRYSHOJNË NDJESHËM SISTEMET E TYRE KOMBËTARE TË LIDHURA DREJTPËRDREJT ME TË"
(njoftuar me dokumentin C(2015) 1612)
KOMISIONI EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian,
Duke pasur parasysh Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 20 dhjetor 2006, "Për ngritjen, funksionimin dhe përdorimin e Sistemit të Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)"1 dhe në veçanti nenin 8, paragrafi 4, nenin 9, paragrafi 1, nenin 20, paragrafi 3, germën "a" të nenit 22, nenin 36, paragrafi 4 dhe nenin 37, paragrafi 7 të saj,
Duke pasur parasysh Vendimin e Këshillit 2007/533/ÇBD, datë 12 qershor 2007, "Për ngritjen, funksionimin dhe përdorimin e Sistemit të Informacionit Shengen (SIS II)"2, dhe në veçanti nenin 8, paragrafi 4, nenin 9, paragrafi 1, nenin 20, paragrafi 4, germën "a" të nenit 22, nenin 51, paragrafi 4 dhe nenin 52, paragrafi 7 të tij,
Pas konsultimit me Mbikëqyrësin Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave,
Meqë:
- Sistemi i Informacionit Shengen është krijuar në përputhje me dispozitat e Titullit IV të Konventës së 19 qershorit 1990 "Për zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit të 14 qershorit 1985 ndërmjet qeverive të shteteve të Bashkimit Ekonomik të Beneluksit, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës për eliminimin gradual të kontrolleve në kufijtë e tyre të përbashkët3. Ky sistem përbënte një mjet thelbësor për zbatimin e dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit, të integruara në kuadrin e Bashkimit Evropian.
- Sistemi i Informacionit Shengen u zëvendësua më 9 prill 2013 nga Sistemi i Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II), me hyrjen në fuqi të Rregullores (KE) nr. 1987/2006 dhe të Vendimit 2007/533/ÇBD. Ashtu si sistemi i tij paraardhës, SIS II përbën një sistem analog tepër të rëndësishëm për eliminimin e kontrolleve në kufijtë e brendshëm, si dhe një kontribut vendimtar për ruajtjen e një niveli të lartë të sigurisë në zonën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.
- Arkitektura teknike e SIS II përbëhet nga një sistem qendror (SIS II qendror), aplikacionet kombëtare dhe një infrastrukturë komunikimi ndërmjet SIS II qendror dhe aplikacioneve kombëtare.
- Zhvillimi i testeve ka qenë dhe është i nevojshëm për vlerësimin e përputhshmërisë së funksionimit të SIS II me kërkesat teknike dhe funksionale të përcaktuara në Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 dhe në Vendimin 2007/533/ÇBD.
- Kërkesat testuese të zbatueshme për fazat kryesore të testimit të zhvillimit teknik të SIS II ishin parashtruar në Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 189/20084 dhe në Vendimin e Këshillit 2008/173/ÇBD,5 si dhe në Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 1104/20086 dhe në Vendimin e Këshillit 2008/839/ÇBD7. Këto akte përcaktuan kërkesat themelore dhe organizimin e testimeve të sistemit qendror të SIS II, sistemeve kombëtare të SIS II, bashkëveprimin ndërmjet tyre, si dhe testimet në lidhje me infrastrukturën e komunikimit. Ashtu si aktet në lidhje me zhvillimin teknik të SIS II, efekti i tyre ligjor ka shteruar me vënien në funksionim të SIS II më 9 prill 2013. Afati i vlefshmërisë së Rregullores (KE) nr. 1104/2008 dhe Vendimit 2008/839/ÇBD ka përfunduar më 8 maj 2013 dhe ato janë shfuqizuar më tej përkatësisht nga Rregullorja e Këshillit (BE) nr. 1273/20128 dhe Rregullorja e Këshillit (BE) nr. 1272/20129. Shfuqizimi i Rregullores (KE) nr. 189/2008 dhe Vendimit 2008/173/ÇBD është propozuar në vitin 201410.
- Rregullorja (KE) nr. 189/2008, Vendimi 2008/173/ÇBD, Rregullorja (KE) nr. 1104/2008 dhe Vendimi 2008/839/ÇBD kanë bërë të detyrueshme zhvillimin e testeve të infrastrukturës së komunikimit, testeve të përputhshmërisë kombëtare, testeve gjithëpërfshirëse, si dhe testeve të shkëmbimit të informacionit plotësues të detyrueshëm nga shtetet anëtare të cilat kanë kaluar nga SIS 1+ në SIS II. Testimi me sukses i SIS II qendror, i përputhshmërisë kombëtare dhe i infrastrukturës së komunikimit, ishin kushte paraprake për zhvillimin e testit gjithëpërfshirës. Komisionit i duhej të deklaronte përfundimin me sukses të testit gjithëpërfshirës si kusht paraprak për zbatimin e Rregullores (KE) nr. 1987/2006 dhe të Vendimit 2007/533/ÇBD.
- Në dritën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht zgjerimit të zonës së lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, është e nevojshme të përcaktohen testet të cilat dëshmojnë gatishmërinë teknike të një shteti anëtar për t'u integruar në SIS II. Me qëllim për të përforcuar sigurinë juridike, është e nevojshme të përcaktohen kërkesa testuese. Këto teste duhet të provojnë se një shtet anëtar është i aftë të shkëmbejë informacione shtesë, se sistemi i tij kombëtar është në përputhje të plotë me SIS II qendror, se ai është në gjendje të aksesojë, përditësojë, fshijë dhe kërkojë të dhëna, se ai është i aftë të ngarkojë fotografitë dhe gjurmët e gishtërinjve në cilësinë e kërkuar, dhe se është i aftë të përpunojë të dhënat mbi identitetin e keqpërdorur.
- Shtetet anëtare të cilat synojnë të ndryshojnë në mënyrë thelbësore zbatimin e sistemeve të tyre kombëtare SIS II (N.SIS II) ose SIRENE, siç parashikohen në Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 dhe në Vendimin 2007/533/ÇBD, duhet t'i nënshtrohen testimit sipas përcaktimit nga Autoriteti Menaxhues, me qëllim për të vërtetuar përputhshmërinë e plotë me SIS II qendror, apo për të nxjerrë në pah aftësinë për të shkëmbyer informacione plotësuese. Agjencia Evropiane për menaxhimin operacional të sistemeve IT në shkallë të gjerë në zonën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, u autorizua të veprojë në cilësinë e Autoritetit Menaxhues me Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 dhe me Vendimin 2007/533/ÇBD, të ndërthurura me Rregulloren (BE) nr. 1077/2011 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit11.
- Duke marrë në konsideratë parimin se për të gjithë shtetet anëtare duhet të zbatohen të njëjtat kërkesa teknike, është e përshtatshme që për shtetet anëtare që synojnë të integrojnë SIS II të zbatohen të njëjtat faza testimi si ato që duhet të zbatoheshin nga shtetet anëtare për kalimin nga SIS 1+ në SIS II.
- Është gjithashtu me vend të shfrytëzohet përvoja e fituar gjatë zhvillimit të SIS II dhe të shtohen teste të cilat nuk ishin parashikuar në ndonjë akt ligjor, por janë shtuar nga shtetet anëtare që veprojnë brenda organeve përgatitore të Këshillit, veçanërisht testi për shkëmbimin e formularëve SIRENE.
- Testet duhet të organizohen, përcaktohen dhe zhvillohen nga Autoriteti Menaxhues i asistuar nga shtetet anëtare.
- Duke qenë se Rregullorja (KE) nr. 1987/2006 mbështetet në tërësinë e legjislacionit të Shengenit, Danimarka, në përputhje me nenin 5 të Protokollit për Qëndrimin e Danimarkës, bashkëlidhur Traktatit për Bashkimin Evropian dhe Traktatit themelues të Komunitetit Evropian, njoftoi me anë të shkresës së datës 15 qershor 2007 transpozimin e tërësisë së këtij legjislacioni në legjislacionin e saj kombëtar. Danimarka merr pjesë në Vendimin 2007/533/ÇBD. Për rrjedhojë, ajo ka detyrimin të zbatojë këtë vendim.
- Mbretëria e Bashkuar merr pjesë në këtë vendim në masën që ai nuk lidhet me shkëmbimin e informacionit shtesë në lidhje me nenet 24 dhe 25 të Rregullores (KE) nr. 1987/2006, në përputhje me nenin 5 të Protokollit për tërësinë e legjislacionit të Shengenit, të integruar në kuadrin e Bashkimit Evropian bashkëlidhur Traktatit për Bashkimin Evropian dhe Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, si dhe me nenin 8, paragrafi 2 të Vendimit të Këshillit 2000/365/KE12.
- Irlanda merr pjesë në këtë vendim në masën që ai nuk lidhet me shkëmbimin e informacionit shtesë në lidhje me nenet 24 dhe 25 të Rregullores (KE) nr. 1987/2006, në përputhje me nenin 5 të Protokollit për tërësinë e legjislacionit të Shengenit, të integruar në kuadrin e Bashkimit Evropian bashkëlidhur Traktatit për Bashkimin Evropian dhe Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, si dhe me nenin 6, paragrafi 2 të Vendimit të Këshillit 2002/192/KE13.
- Për sa i përket Qipros, ky vendim përbën një akt që bazohet mbi tërësinë e legjislacionit të Shengenit, ose që lidhet me të sipas kuptimit të nenit 3, paragrafi 2 të Aktit të Aderimit 2003.
- Për sa i përket Kroacisë, ky vendim përbën një akt që bazohet mbi tërësinë e legjislacionit të Shengenit, ose që lidhet me të sipas kuptimit të nenit 4, paragrafi 1 të Aktit të Aderimit 2012.
- Për sa i përket Islandës dhe Norvegjisë, ky vendim përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit, sipas kuptimit të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Islandës dhe Mbretërisë së Norvegjisë për asociimin e këtyre dy shteteve në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit14, të cilat përfshihen në fushën e përmendur në nenin 1, germa "G" të Vendimit të Këshillit 1999/437/KE15.
- Për sa i përket Zvicrës, ky vendim përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit, sipas kuptimit të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës së Zvicrës për asociimin e Konfederatës së Zvicrës në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit16, të cilat përfshihen në fushën e përmendur në nenin 1, germa "G" të Vendimit 1999/437/KE, që lexohet i lidhur me nenin 4, paragrafi 1 të Vendimit të Këshillit 2004/860/KE17.
- Për sa i përket Lihtenshtejnit, ky vendim përbën një zhvillim të dispozitave të tërësisë së legjislacionit të Shengenit, sipas kuptimit të Protokollit ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian, Konfederatës së Zvicrës dhe Principatës së Lihtenshtajnit për aderimin e Principatës së Lihtenshtajnit në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës së Zvicrës për asociimin e Konfederatës së Zvicrës në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit18, të cilat përfshihen në fushën e përmendur në nenin 1, germa "G" të Vendimit 1999/437/KE, që lexohet i lidhur me nenin 3 të Vendimit të Këshillit 2011/350/BE19.
- Masat e parashikuara në këtë vendim janë në përputhje me opinionin e Komitetit të ngritur në bazë të nenit 51 të Rregullores (KE) nr. 1987/2006 dhe nenit 67 të Vendimit 2007/533/ÇBD,
MIRATON KËTË VENDIM:
Neni 1
- Përpara integrimit në Sistemin e Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II), shtetet anëtare kryejnë dhe u nënshtrohen testeve dhe procedurës testuese të parashikuar në shtojcën e këtij vendimi.
- Shtetet anëtare të cilat synojnë të ndryshojnë në mënyrë thelbësore zbatimin e sistemeve të tyre N.SIS II ose SIRENE, i kërkojnë Autoritetit Menaxhues të përcaktojë se cilat prej testeve të parashikuara në shtojcën e këtij vendimi duhet të kryhen dhe i nënshtrohen procedurës së testimit të parashtruar në shtojcën e këtij vendimi. Shtetet anëtare në fjalë nuk i implementojnë këto ndryshime përpara kryerjes me sukses të testeve.
Neni 2
Ky vendim u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 16 mars 2015.
Për Komisionin
Dimitris AVRAMOPOULOS
Anëtar i Komisionit
SHTOJCA
"TESTET SIS II
- Objektivat
Testet e listuara në vijim shërbejnë për të dëshmuar se sistemi kombëtar (N.SIS II), infrastruktura e komunikimit dhe ndërveprimet ndërmjet SIS II qendror (C.SIS II) dhe N.SIS II funksionojnë në përputhje me kërkesat teknike dhe funksionale të parashikuara në Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 dhe Vendimin 2007/533/ÇBD.
Për më tepër, këto teste SIS II shërbejnë gjithashtu për të dëshmuar se N.SIS II, infrastruktura e komunikimit dhe ndërveprimet ndërmjet C.SIS II dhe N.SIS II mund të funksionojnë në përputhje me kërkesat jo-funksionale, të tilla si fuqia, disponueshmëria dhe performanca, të parashikuara në Rregulloren (KE) nr. 1987/2006 dhe në Vendimin 2007/533/ÇBD.
- Procesi, fusha e detajuar e zbatimit dhe organizimi i testeve SIS II
Renditja e testeve, objektivi, fusha e zbatimit (në varësi të zbatimit kombëtar) dhe organizimi i tyre është si vijon.
2.1. Testet e lidhjes janë faza e parë e testeve, të cilat trajtojnë testimin e lidhjes dhe elasticitetin e infrastrukturës së komunikimit SIS II.
2.2. Testet e përputhshmërisë kombëtare janë faza e dytë e testeve, të cilat trajtojnë testimin e përputhshmërisë së N.SIS II me specifikimet e përshkruara në versionin referencë të Dokumentit për Kontrollin e Ndërfaqes (DKN).
2.3. Testet e Ndërfaqeve Kombëtare Vendore(NKV)/Ndërfaqeve Mbështetëse Kombëtare Vendore (BLNI) janë faza e tretë e testeve, të cilat trajtojnë lidhjen dhe elasticitetin e infrastrukturës së komunikimit SIS II, me synimin për të testuar funksionimin e saktë dhe elasticitetin e N.SIS II pas LNI dhe BLNI, nëse një shtet anëtar ka një BLNI.
2.4. Testet globale janë faza e katërt e testeve, të cilat trajtojnë funksionimin e duhur të N.SIS II kundrejt specifikimit të vlefshëm të ICD, në kushte të ngjashme dhe me pjesëmarrjen e vendeve të tjera të lidhura me SIS II, siç kërkohet gjatë operacioneve ditore. Ato ndahen në dy faza të veçanta:
2.4.1. Testet e shteteve anëtare
Gjatë kësaj faze testimi, të gjithë shtetet anëtare të cilët janë tashmë të lidhur me SIS II, duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre për të marrë mesazhe nga shteti anëtar aderues. Qarkullimi i shtetit anëtar aderues mund të gjenerohet përmes përdorimit të simulatorëve.
2.4.2. Testet gjithëpërfshirëse
Gjatë kësaj faze, sistemi që i nënshtrohet testimit (SNT) do të ekspozohet ndaj qarkullimit (qarkullim nominal, në stres dhe kulmor), siç mund të pritet gjatë operacioneve normale. Shtetet anëtare (me përjashtim të SNT) zëvendësohen nga simulatorë. Synimi i kësaj faze është të garantojë që SNT mund të marrin dhe përpunojnë të gjitha mesazhet hyrëse dhe të kryejnë operacione normale, duke përfshirë testimin e elasticitetit.
2.5. Testet MSIT janë faza e pestë e testeve, të cilat trajtojnë organizimin e Menaxhimit të Shërbimeve IT, duke përfshirë procedurat e funksionimit dhe komunikimit përmes sistemeve të komunikimit të tilla si SIS II, posta SPoC, eOPM, SM7.
2.6. Testet e lidhjes SIRENE janë faza e gjashtë e testeve, të cilat trajtojnë lidhjen dhe elasticitetin e infrastrukturës së postës SIRENE dhe kontrollojnë funksionimin bazë të kutive postare përmes simulimit të trafikut minimal.
2.7. Testet funksionale SIRENE janë faza e shtatë e testeve, të cilat do të trajtojnë funksionimin e zgjidhjes teknike të SIRENE kombëtare dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet zyrave SIRENE përmes formularëve të dërguar nëpërmjet infrastrukturës postare SIRENE, sipas specifikimeve të parashikuara në Manualin SIRENE, të përcaktuar nga Vendimi Zbatues i Komisionit (BE) 2015/21920, duke aksesuar, ndryshuar, shënuar, fshirë alarmet përkatëse në SIS II dhe duke bashkëngjitur/shkëputur informacionin shtesë për alarmet e SIS II.
Lloje të tjera të testeve mund të parashikohen në varësi të kuadrit ligjor të shtetit anëtar përkatës që synon të integrohet në SIS II.
2.8. Koordinimi i testeve
Agjencia Evropiane për menaxhimin operacional të sistemeve IT në shkallë të gjerë në zonën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë (eu-LISA), si Autoriteti Menaxhues, koordinon të gjitha testet, harton specifikimet e testeve, programin e tyre dhe rezultatin final të tyre. Për më tepër, ajo do të identifikojë, kategorizojë dhe përshkruajë të gjitha problematikat e hasura dhe do të propozojë zgjidhje alternative.
Shtetet anëtare do të ndihmojnë eu-LISA në kryerjen e përgjithshme të të gjitha detyrave që lidhen me realizimin e testeve.
2.9. Dokumentacioni i testimit
eu-LISA do të përcaktojë specifikimet e detajuara të testit. Ajo do të vërë në dispozicion të shtetit anëtar të përfshirë draftin dhe versionin përfundimtar të specifikimeve të testit.
2.10. Kryerja e testeve
eu-LISA do të realizojë testet së bashku me shtetin anëtar dhe aktorë të tjerë përkatës të përfshirë në bazë të specifikimeve të testit dhe në përputhje me programin e rënë dakord me ekspertët e shtetit anëtar, dhe do të dëshmojë se janë përmbushur rezultatet e pritshme të testit, siç parashikohen në specifikimet e testit. eu-LISA do të sigurojë ambientet e testit C.SIS II për qëllime testimi, duke përfshirë testet funksionale SIRENE, kur këto të fundit dhe ndryshimet korresponduese të alarmeve mund të realizohen.
2.11. Pranimi i testeve
Vendimi mbi testin e një shteti anëtar mund të jetë "i kaluar", "i kaluar me vërejtje", "jobindës", "i pakaluar" ose "i patestuar"/"i pazbatueshëm".
- a) "I kaluar":
- Rezultatet reale janë siç priteshin në përshkrimin e "Rezultatit të pritshëm";
- Janë respektuar të gjitha kushtet e testimit dhe Plani i Testimit;
III. Nuk zbatohen kritere jobindëse.
- b) "I kaluar me vërejtje"
Kushtet e renditura në germën "a" janë përmbushur, por kushte të caktuara dhe/ose arsye të mirëjustifikuara kanë shkaktuar një rezultat apo ngjarje të paparashikuar gjatë testimit, dhe si rrjedhojë testi është kaluar me vërejtje.
- c) "Jobindës": gjatë testit kanë ndodhur ngjarje të paparashikuara, të pavarura nga SNT.
- d) "I pakaluar": nuk është përmbushur një prej kritereve për kalimin e testit.
- e) "I patestuar"/"I pazbatueshëm"
eu-LISA do të raportojë rezultatet e testeve të SIS II. Ajo do të identifikojë, kategorizojë dhe përshkruajë të gjitha problematikat e hasura dhe do të propozojë zgjidhje alternative. Ekspertët e shteteve anëtare do të ofrojnë të gjithë informacionin e nevojshëm për kryerjen e detyrave të Grupit të Koordinimit të Testimit.
Kur dokumentacioni i testimit i ndan testet në faza të ndryshme, eu-LISA do të njoftojë shtetin anëtar për rezultatet e çdo faze përpara kalimit në fazën e ardhshme.
Pranimi i testeve do të bazohet në raporte që përmbajnë një analizë të detajuar të rezultateve dhe konkluzioneve të testimit në lidhje me verifikimin e sistemit kombëtar të shtetit anëtar (aplikacioni N.SIS II ose SIRENE). Nëse shteti anëtar që i nënshtrohet testimit ose eu-LISA vlerëson se testet nuk mund të përfundohen me sukses, kjo duhet të shënohet në raport. eu-LISA do të japë një opinion për përfundimin me sukses të testeve të SIS II, duke marrë në konsideratë pikëpamjet e shprehura nga ekspertët e shtetit anëtar, dhe do të paraqesë rezultatet e testit së bashku me opinionin e saj në formacionet përkatëse të Komitetit SISVIS për miratim përfundimtar.
- Dokumenti për kontrollin e ndërfaqes (dkn) dhe specifikimet teknike të detajuara (std) për testimin
N.SIS II në çdo shtet anëtar që integrohet në SIS II do të testohet sipas specifikimeve më të fundit.
Specifikimet Teknike të Detajuara (STD) të përgatitura nga eu-LISA përcaktojnë specifikimet funksionale dhe jo-funksionale të C.SIS II.
ICD e përgatitur nga eu-LISA do të përcaktojë ndërfaqen midis C.SIS II dhe N.SIS II. Ai përmban specifikimet teknike të ndërveprimeve sistem-për-sistem, në aspektin e elementeve të të dhënave dhe mesazheve të kaluara, protokolleve të përdorura, si dhe kohën dhe renditjen e ngjarjeve.
Specifikimet, siç parashikohet në ICD dhe DTS, do të vendosen për një periudhë të caktuar dhe koha e përditësimit të të dy sistemeve do të parashtrohet në një plan lëshimi që do të përcaktojë versionin referencë për një fazë të caktuar testimi. Problematikat e hasura gjatë fushatave të testimit do të raportohen, analizohen dhe zgjidhen në përputhje me procedurat e vendosura operacionale, duke marrë në konsideratë opinionin e ekspertëve të shtetit anëtar që i nënshtrohet testimit.
- Raport i përkohshëm dhe përfundimtar për rezultatet e fazave të testimit
eu-LISA do të hartojë në baza të rregullta raporte për statusin e testeve. Raportet do të përcaktojnë cila fazë e testimit është duke u zhvilluar aktualisht, dhe faktin nëse shteti anëtar ka përfunduar apo nisur, apo nuk ka nisur ende, ndonjë prej fazave. Nëse ka ndonjë shmangie të dukshme nga kalendari i testeve, këto shmangie dhe shkaqet e tyre duhet të regjistrohen.
Me mbylljen e çdo faze të testimit, eu-LISA do të hartojë një raport mbi rezultatet, problematikat e hasura dhe zgjidhjet alternative. Në rastet kur shteti anëtar që i nënshtrohet testimit ose eu-LISA vlerësojnë se testet nuk mund të mbyllen me sukses, ata do ta regjistrojnë këtë fakt duke cituar arsyet, në një shënim të veçantë.
- 1. Gazeta Zyrtare L 381, 28.12.2006, f. 4.
- 2. Gazeta Zyrtare L 205, 7.8.2007, f. 63.
- 3. Gazeta Zyrtare L 239, 22.9.2000, f. 19.
- 4. Rregullorja e Këshillit (KE) nr. 189/2008, datë 18 shkurt 2008, "Për testet e Sistemit të Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 57, 1.3.2008, f. 1).
- 5. Vendimi i Këshillit 2008/173/ÇBD, datë 18 shkurt 2008, "Për testet e Sistemit të Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 57, 1.3.2008, f. 14).
- 6. Rregullorja e Këshillit (KE) nr. 1104/2008, datë 24 tetor 2008, "Për kalimin nga Sistemi i Informacionit Shengen (SIS 1+) në Sistemin e Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 299, 8.11.2008, f. 1).
- 7. Vendimi i Këshillit 2008/839/ÇBD, datë 24 tetor 2008, "Për kalimin nga Sistemi i Informacionit Shengen (SIS 1+) në Sistemin e Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 299, 8.11.2008, f. 43).
- 8. Rregullorja e Këshillit (BE) nr. 1273/2012, datë 20 dhjetor 2012, "Për kalimin nga Sistemi i Informacionit Shengen (SIS 1+) në Sistemin e Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 359, 29.12.2012, f. 32).
- 9. Rregullorja e Këshillit (BE) nr. 1272/2012, datë 20 dhjetor 2012, "Për kalimin nga Sistemi i Informacionit Shengen (SIS 1+) në Sistemin e Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 359, 29.12.2012, f. 21).
- 10. COM(2014) 713 i fundit dhe COM(2014) 714 i fundit.
- 11. Rregullorja (BE) nr. 1077/2011 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 25 tetor 2011, "Për ngritjen e një Agjencie Evropiane për menaxhimin operacional të sistemeve TI në shkallë të gjerë në zonën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë" (Gazeta Zyrtare L 286, 1.11.2011, f. 1).
- 12. Vendimi i Këshillit 2000/365/KE, datë 29 maj 2000, "Për kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës për të marrë pjesë në disa nga dispozitat e tërësisë së legjislacionit të Shengenit (Gazeta Zyrtare L 131, 1.6.2000, f. 43).
- 13. Vendimi i Këshillit 2002/192/KE, datë 28 shkurt 2002, "Për kërkesën e Irlandës për të marrë pjesë në disa nga dispozitat e tërësisë së legjislacionit të Shengenit (Gazeta Zyrtare L 64, 7.3.2002, f. 20).
- 14. Gazeta Zyrtare L 176, 10.7.1999, f. 36.
- 15. Vendimi i Këshillit 1999/437/KE, datë 17 maj 1999, "Për marrëveshje të caktuara për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar nga Këshillit i Bashkimit Evropian dhe Republika e Islandës dhe Mbretëria e Norvegjisë në lidhje me përfshirjen e këtyre dy shteteve në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit (Gazeta Zyrtare L 176, 10.7.1999, f. 31).
- 16. Gazeta Zyrtare L 53, 27.2.2008, f. 52.
- 17. Vendimi i Këshillit 2004/860/KE, datë 25 tetor 2004, "Për nënshkrimin në emër të Komunitetit Evropian dhe për zbatimin e përkohshëm të disa dispozitave të marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës së Zvicrës në lidhje me përfshirjen e Konfederatës së Zvicrës në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit (Gazeta Zyrtare L 370, 17.12.2004, f. 78).
- 18. Gazeta Zyrtare L 160, 18.6.2011, f. 21.
- 19. Vendimi i Këshillit 2011/350/BE, datë 7 mars 2011, "Për nënshkrimin, në emër të Bashkimit Evropian, të Protokollit ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian, Konfederatës së Zvicrës dhe Principatës së Lihtenshtajnit për aderimin e Principatës së Lihtenshtejnit në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian, Komunitetit Evropian dhe Konfederatës së Zvicrës për përfshirjen e kësaj të fundit në implementimin, zbatimin dhe zhvillimin e tërësisë së legjislacionit të Shengenit, në lidhje me eliminimin e kontrolleve në kufijtë e brendshëm dhe lëvizjen e personave" (Gazeta Zyrtare L 160, 18.6.2011, f. 19).
- 20. Vendimi Zbatues i Këshillit (BE) nr. 2015/219, datë 29 janar 2015, që zëvendëson Shtojcën e Vendimit Zbatues 2013/115/BE "Për manualin SIRENE dhe masa të tjera për Sistemin e Informacionit Shengen të gjeneratës së dytë (SIS II)" (Gazeta Zyrtare L 44, 18.2.2015, f. 75).